Arbëri

Vitia thotë se pesë persona të infektuar me koronavirus janë në gjendje të rëndë

Foto: Koha

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një video-konference për media ka njoftuar se në mesin e të infektuarve me koronavirus, 36 persona janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, nga të cilët 31 janë në gjendje stabile.

Vitia tha se pesë prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Qeveria e Kosovës ditë më parë ka ndërmarrë masën e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve. Kërkojmë që koha e lejuar për qarkullim të mos kuptohet në asnjë mënyrë si një hapësirë për t’u grumbulluar por të respektojmë pikën që lëvizjet në rrugë të mos bëhen më shumë se 2 persona e gjithmonë duke mbajtur distancën në 2 metra”, ka thënë ai, raporton KOHA.

Vitia tutje ka shtuar se duhet më shumë disiplinë, më shumë angazhim e zbatim të masave të reja.

Ai ka bërë thirrje që të respektohen masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

“Testet e reja me porosi kanë arritur në IKSHPK, kemi bërë kërkesë edhe për 10 mijë teste të reja. Po vazhdojnë njëkohësisht donacionet dhe ndihmat e ndryshme. Ju bëjmë thirrje për shtim në angazhimin e juaj në këtë situatë. Ruajeni shëndetin e juaj dhe të familjarëve tuaj e komshinjve. Kjo situatë do të kalojë andaj ju lutem që të keni kujdes. Ju lutemi që të keni durimin që këto javë t’i kalojmë sipas këshillave e rekomandimeve”, ka thënë ai, raporton KOHA.

Vitia tutje ka folur edhe për emërimin e bordit të ri të SHSKUK-së.

“Sa i përket emërimit të përfaqësuesit të ministrisë në SHSKUK, secila qeveri ka një program politik që duhet ta shtyjë përpara dhe kjo është arsyeja pse ligjet janë formuluar në mënyrë të tillë, që në vende dhe institucionet të tilla si SHSKUK këto programe të shtyhen përpara përmes përfaqësuesve politik. Kjo është praktikë e njëjtë, është standard i vendosur. Me këto kompetenca me legjislacionin në fuqi kemi marrë këto vendime”, ka thënë ai.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se situata po mbahet nën kontroll.

Sipas tij, nga data 8 shkurt e deri tani janë bërë mbi 1300 testime.

“Duke pas parasysh të gjitha masat e marra unë duhet të iu them që rekomandimet duhet të vazhdoni t’i mbani si, larja e duarve, mosprekja e fytyrës, të pihet sa më shumë ujë, të mundohemi ta ruajmë distancën deri në 2 metra. Unë vetëm një gjë e kisha thënë, shikoni valën epidemike në vendet e tjera ku situata ka dalë jashtë kontrolli”, ka thënë ai.