Arbëri

BIK-u i ofron ndihmë MPB-së në përpjekjet për të parandaluar koronavirusin

Ushtruesi i Detyrës i ministrit të MPBAP-së, Xhelal Sveçla, ka takuar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnavën, ku, siç bëhet e ditur në komunikatën e kësaj ministrie, u bisedua për situatën në të cilën gjendet vendi ynë, në këtë kohë të pandemisë globale me Covid-19, për angazhimet që janë duke i bërë institucionet e Kosovës në parandalimin e përhapjes së këtij virusi dhe në përgjithësi për menaxhimin e situatës.

Sveçla kërkoi që në kuadër të përpjekjeve në parandalimin e përhapjes së këtij virusi dhe në përgjithësi për menaxhimin e situatës, të intensifikohen thirrjet edhe nga Bashkësia Islame në Kosovë, raporton KOHA.

“Për MPBAP-në, përfshirja e BIK-ut dhe bashkësive të tjera fetare në Kosovë në fushatën vetëdijesuese, do të ndihmonin jashtëzakonisht shumë që t’u kërkojnë qytetarëve t’i reduktojnë daljet e tyre vetëm atëherë kur vlerësohet se është e domosdoshme”, theksoi Sveçla.

Ndërsa kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, tha se në këtë sfidë do të kenë patjetër mbështetjen e BIK-ut, në mënyrë që “bashkërisht të luftojmë me të gjitha forcat edhe me ndihmën e Zotit ta tejkalojmë këtë sfidë me përmasa globale”.