Arbëri

Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, vendoset për seancën e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë

Foto: Koha

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot do të mblidhet që të vendosë për mbajtjen e seancës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës është propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së dhe mbështetur nga 44 deputetë.

Ka qenë çështje diskutimi nëse seanca mund të mbahet duke qenë se IKSHPK rekomandon që njerëzit të mbajnë distancën prej dy metrash, ndërsa kjo është e pamundur në sallën e aktuale të Kuvendit.

Megjithatë, rregullorja e lejon që seanca të mbahet edhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, megjithatë çështja mbetet nëse administrata e këtij institucioni do të gjejë hapësirë që akomodon 120 deputetë, stafin si dhe mediat pa u rrezikuar.

Megjithatë, mbrëmë Qeveria e Kosovës mori edhe një vendim që ndalonte tubimet, si në hapësira të mbyllura ashtu edhe të hapura, dhe kjo ngriti pikëpyetje nëse ishte për të pamundësuar mbajtjen e seancës.

Gjithsesi, në bazë të kushtetutës, seanca për mocionin duhet të mblidhet jo më afër se dy ditë dhe jo me larg se pesë, që nga koha e paraqitjes së kërkesës.