Arbëri

Precedenti i presidentit

Foto: Koha

Presidenti Hashim Thaçi tashmë e ka ndërtuar precedentin, mbi bazën e të cilit duhet të veprohet në rrethanën kur për çfarëdo arsye vendi mbetet pa kryeministër. Mbështetur në të, kreu i shtetit detyrohet t’ia njohë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) të drejtën për ta ofruar mandatarin për formimin e Qeverisë së re, edhe në rast se Lidhja Demokratike (LDK) në Qeveri, bashkë me partitë opozitare, e çojnë në fund mocionin kundër Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Saktësisht 14 ditë pasi Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje, presidenti Thaçi i kishte shkruar Kadri Veselit, lider i koalicionit PAN, që ishte fitues i zgjedhjeve të atij mandati. Në letër i kërkohej kandidati për ta pasuar Haradinajn në post, raporton KOHA.

“Duke marrë parasysh nenin 95 të Kushtetutës, Vendimin e Gjykatës Kushtetuese KO103/14, të datës 1 korrik 2014, dhe njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor 2017, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim... është koalicioni që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë dhe ka të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë”, thuhet në shkresën e Thaçit, që mban datën 2 gusht 2019. “Ju lutem, në emër të koalicionit... propozoni kandidatin e ri, të cilin do ta mandatoj për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Të njëjtën ditë i ishte përgjigjur Veseli.

“Duke u bazuar në rrethanat aktuale politike, vullnetin politik të shprehur publikisht nga partitë e koalicionit fitues, si dhe në gjykimin tim se çfarë është më e mira tani për qytetarët dhe për Republikën e Kosovës, ju njoftoj se unë nuk do të propozoj një kandidat të ri si mandatar për formimin e Qeverisë së re”, ia kishte kthyer në letër Veseli, i cili atëkohë ishte kryetar i Parlamentit. “Po ashtu, dëshiroj t’ju njoftoj se kam ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për datën 05.08.2019, që bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, të diskutojmë për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit të Kosovës”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.