Arbëri

Veseli: Me “Fillimin e ri” do ta fuqizojmë shtetin e Kosovës

Për t’i dhënë kuptim shtetësisë dhe lirisë tani është koha e zhvillimit ekonomik, koncept ky i Fillimit të Ri. Kështu tha të shtunën kryetari i PDK-së Kadri Veseli, gjatë shpalosjes së platformës “Fillimi i Ri”, me qytetarë në Skenderaj, të cilëve u kërkoi mbështetje në mënyrë që më 11 qershor të shënohet fitore bindëse, derisa shprehu besimin se në Drenicë do të fitojnë 90 për qind të votave.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha se me qeverisjes e PDK-së Kosova ka ndërruar plotësisht, por tani është koha për konceptin e Fillimit të Ri, i cili ka në fokus përkrahjen e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik.

“Do të vazhdojmë me fillimin e ri të fuqizojmë shtetësinë tonë, sovranitetin e Kosovës që askush të mos mund ta cenojë, këtë e kemi zotim edhe është amanet i bartur nga mijëra bashkëluftëtarë tanë që kanë rënë në altarin e lirisë. Nga mijë e mijëra bashkëluftëtarë tanë, po ashtu, që kanë rënë në altarin e lirisë dhe ata që janë ende deri më sot i kemi të pagjetur. Por, për të pasur kuptim kjo liri, duhet të kemi zhvillim ekonomik. Kjo është ajo që jemi orientuar me konceptin e fillimit të ri, në mënyrë që të gjitha resurset tona politike lidershipi financiare t’i orientojmë kah zhvillimi ekonomik”, tha Veseli, raporton KP.

Për më tepër kreu i PDK-së theksoi se do të rritet buxheti për bujqësinë, derisa përkrahja për ndërmarrësit do të jetë e pa rezervë në fuqizimin e bizneseve të tyre dhe rritjen e të punësuarve.

Po ashtu, Veseli përsëriti rritjen e pensioneve për pensionistët, përkrahjen e të rinjve, fuqizimin e grave, pasi sipas tij, ky është koncepti i Fillimit të Ri. Madje, sipas Veselit kur Azem Bejta u ka dhënë përparësi grave, pse ata mos t’iu japin.

Ish-gazetarja Arbana Xharra, e cila para një muaji u bë pjesë e PDK-së, shpjegoi pse vendosi t’i bashkohet PDK-së.

“I kam parë dy alternativa, njëra që s’ka pasur guxim të marr vendime, një alternativë që i tha Bidenit jo, iu tha zyrtarëve me të lartë amerikanë jo, dhe të tjerët që donë të djegin gjithçka, ta përmbysin Kosovën që të marrin në dorë vetë, që nuk ta njehë as flamurin, dhe nuk njeh asgjë që është arritur për mbërrit te pavarësia që kemi arritur. Unë i kam besuar këtij njeriu këtu për të nisur një rrugëtim që s’ka me qenë i lehtë për neve, por hapësira që më është premtuar po e ndjej në këtë fillim”, tha Xharra.

Nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi para qytetarëve të Skenderajt tha se po iu mungon Sami Lushtaku, Sylejman Selimi dhe shumë tjerë që janë mësuar t’i presin, por sipas tij, fryma dhe lufta e tyre janë me ta.

“Prekazi dhe Drenica janë nëna e UÇK-së dhe e them me bindje të plotë se UÇK-ja është nëna e PDK-së. As ne nuk heqim dorë nga Drenica, as prej UÇK-së, bile jemi krenarë për atë që kemi bërë. Tani do ta zhvillojmë vendin, do ta bëjmë vendin demokratike. Keni besim në kryetarin Veseli, te partnerët tanë në koalicion, do ta bëjmë vendin ku dëshirojmë për të shkuar”, tha Kuçi.

Kandidati i PDK-së për deputet Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku, konfirmoi mbështetjen për kreun e PDK-së Kadri Veseli, ashtu siç e ka pasur paraardhësi i tij, Hashim Thaçi.

“Qysh e kemi mbështetur Hashim Thaçin si kryetar të PDK-së, ashtu do ta mbështesim edhe Kadri Veselin si kryetar i PDK-së, si liderin më të votuar në gjithë Kosovën. Ndihem shumë i nderuar që jam pjesë e PDK-së dhe mund të jemi pjesë e kandidaturës së PDK-së, dhe familja jonë mbështet fuqishëm PDK-në dhe Fillimin e ri”, ka thënë Lushtaku.

PDK në zgjedhjet e 11 qershorit është në koalicion të gjerë me AAK-në e Ramush Haradinajt, Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt dhe disa parti të vogla.