Arbëri

Në burgjet e Kosovës, asnjë i infektuar me koronavirus

Foto: Koha

Në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit në Kosovë, deri më tani nuk ka asnjë rast pozitiv me Covid-19.

Kështu ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, i cili përmes komunikimit virtual, “Skype for bussines”, mbajti takimin e parë të këtij lloji me drejtorët e të gjitha institucioneve korrektuese dhe atyre të paraburgimit.

Në takim, siç bën me dije Zyra për Komunikim Publik e SHKK-së, u diskutua mbi Planin Operativ “Corona Virus”, si dhe bashkërendimin e aktiviteteve për situatën e krijuar në vend nga shpallja e epidemisë Covid-19.

“Në të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit deri më tani nuk ka asnjë rast, i cili rezulton pozitiv me Covid-19. Të burgosurit po marrin tretman më të shpeshtë mjekësor, janë furnizuar me material higjienik dhe me ushqim të mjaftueshëm, dhe të kontrolluar mirë nga stafi i kuzhinave”, thuhet në komunikatën e SHKK-së.

Përmes video-komunikimit, të gjithë drejtuesit e institucioneve korrektuese dhe të paraburgimit, raportuan mbi gjendjen aktuale të institucioneve të tyre, planin operativ, punën dhe sfidat nëpër të cilat janë duke kaluar si rezultat i shfaqjes së epidemisë Covid 19.

Gjatë këtij video-komunikimi, Thaçi i përgëzoi të gjithë drejtorët e institucioneve korrektuese dhe ata të paraburgimit për punën dhe gatishmërinë e tyre të treguar deri më tani për menaxhimin dhe implementimin e Planit Operativ “Corona Virus”, plan ky i cili, sipas komunikatës, “deri më tani është duke funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç ishte paraparë”.