Arbëri

Bajqinovci për shkarkimin e Veliut: S’mund ta kesh shef Kurtin, e të veprosh nën urdhrat e dikujt tjetër

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci në një postim në Facebook ka komentuar shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Ai ka thënë se nuk mund ta kesh shef Albin Kurtin, e të veprosh nën urdhrat e dikujt tjetër, që nuk i takon koalicionit qeverisës, derisa e cilëson Veliun si kundërshtarin më të madh të koalicionit qeverisës.

“Vet pranimi i postit të ministrit nga Agim Veliu në muajin shkurt, ka nënkuptuar se ai do ta ketë shef Albin Kurtin, i pëlqeu apo nuk i pëlqeu. Veprimet e Veliut në koalicionin qeverisës, ishin gjithnjë në kundërshtim me hierarkinë qeverisëse. Nuk mund ta kesh shef Albin Kurtin, e të veprosh nën urdhrat e dikujt tjetër, që nuk i takon koalicionit qeverisës, madje Veliu ishte kundërshtari më i madh edhe i koalicionit VV-LDK”, ka shkruar Bajqinovci, transmeton KOHA.

Ai thotë se Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje, edhe pse nuk e do një gjë të tillë.

“Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti nuk i nënshtrohet e as nuk shantazhohet prej askujt. Ne nuk dëshirojmë ta shohim vendin prapë në zgjedhje në këtë kohë, por nëse ndodh kjo, jemi të gatshëm dhe më superior se në zgjedhjet e kaluara”, ka shkruar ai.