Arbëri

Kryeministri Kurti dhe stafi i tij dalin negativë ndaj koronavirusit

Foto: Alban Bujari / KD

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me stafin e tij të Zyrës së Kryeministrit, i janë nënshtruar testimit për koronavirus.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, i gjithë stafi i kësaj zyre është testuar për të parë nëse janë të prekur me virusin COVID-19, dhe se të gjithë, sipas tij, kanë dalë negativë.

“Duke pas parasysh natyrën e punës së Kryeministrit dhe stafit të tij, natyrë kjo që parasheh takime të shpeshta me delegacione vendore dhe ndërkombëtare në funksion të kryerjes së detyrave zyrtare, dhe në kuadër të masave të nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19, Kryeministri dhe i gjithë stafi në Zyrën e Kryeministrit (pa përjashtim), si masë kujdesi, janë udhëzuar që t’iu nënshtrohen analizave. Rezultatet nga analizat kanë dalë negative për të gjithë. I ftojmë të gjithë të vazhdojnë me respektimin e masave të vendosura nga Qeveria dhe këshillave të profesionistëve”, ka thënë Kryeziu për Kohën.

Ai ka thënë se këto informata vlejnë vetëm për Zyrën e Kryeministrit, dhe jo për stafin në ministritë e tjera.