Arbëri

Qeveria s'pajtohet me propozimin e Thaçit për gjendje të jashtëzakonshme, e quan masë ekstreme

Masë ekstreme dhe e panevojshme konsiderohet nga Qeveria Kurti propozimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme rreth koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i dytë i Kosovës, Haki Abazi, pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Ajo që është propozuar si gjendje e jashtëzakonshme konsiderohet dhe shihet si masë ekstreme dhe e panevojshme, që mund të interferojë me masat adekuate, të cilat i ka marrë Qeveria dhe institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Abazi.

“Si rrjedhojë, kryeministri nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën e ka propozuar presidenti sonte”, ka shtuar ai, raporton KOHA.

Konferenca e tij e ka pasuar atë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me ç’rast i pari ai ka bërë të ditur se ia ka propozuar Kuvendit dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

Abazi ndërkaq, po ashtu ka dhënë detaje rreth asaj se si ka shkuar takimi i Këshillit të Sigurisë.

“Është raportuar për angazhimet e secilës ministri dhe gjithashtu veprimet që janë ndërmarrë nga niveli i Qeverisë e deri tek niveli komunal për adresimin e çështjeve të lidhura me koronavirusin”, ka treguar ai.

Abazi ka thënë se gjendja e lidhur me koronavirusin është duke u përcjellur vazhdimisht nga institucionet, duke shtuar se Kosova është vendi i parë në rajon që ka mbyllur shkolla dhe ka ndërmarrë veprime. Numri i të infektuarve me koronavirus në vend ka mbërritur në nëntëmbëdhjetë.

“Ministria e Jashtme dhe e Infrastrukturës janë në koordinim edhe për çështjen e qytetarëve tanë që kanë mbetur nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe shtetet tjera”, ka cekur Abazi.