Arbëri

Kurti kërkon liberalizimin e vizave: Kur pandemia të përfundojë, kosovarët do të jenë sërish të izoluar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kuri, gjatë videokonferencës së sotme “Western Balkan Conference”, të organizuar nga kancelari austriak Sebastian Kurz, ka thënë se tash të gjithë kufijt janë të mbyllur, por kur të përfundojë problemi me pandeminë koronavirus, qytetarët e Kosovës sërish do të jenë të izoluar.

Sipas një njoftimi nga Zyra e tij për komunikim, ai ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në videokonferencë mori pjesë edhe Komisioneri Evropian, Oliver Varhelyi, ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg, ministrja për BE-në, Karoline Edtstadler dhe të gjithë kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.

“Popullsia e Kosovës është e re dhe energjike prandaj nuk dyshoj se ne mundemi të punojmë shumë. Por, është e domosdoshme që edhe Bashkimi Evropian të punojë dhe të jetë i përkushtuar për neve. Në këtë krizë pandemie ku qytetet e shtetet gjithandej globit po i mbyllin kufijtë e po i izolojnë njerëzit e tyre, ne e kuptojmë se sa e rëndësishme është liria e lëvizjes. Por kur pandemia të përfundojë, qytetarët gjithandej Evropës do të jenë të gatshëm të lëvizin lirshëm sërish nëpër Evropë, përderisa ne në Kosovë do të mbetemi të izoluar. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është stërgjatë”, ka thënë Kurti, njofton Zyra për Komunikim e Qeverisë.