Arbëri

Koronavirusi / Kurti: Shtëpia, vendi më i sigurt – evitoni zakonin e shtrëngimit të duarve

Descriptive Text

Kryeministri Albin Kurti u është drejtuar qytetarëve përmes një video-mesazhi në Facebook, duke kërkuar nga ta që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Në mesazhin e tij, Kurti thotë se kjo është një kohë e pazakonshme, prandaj thotë se Qeveria ka marrë edhe vendime të vështira, ndër të cilat janë edhe ndalimi i hyrje-daljeve në komuna, mbyllja e kufijve dhe ndalimi i fluturimeve dhe i transportit.

“Masën e vetizolimit po e ndjekim përgjithësisht. Është situatë e përkohshme dhe do t’i kthehemi normalitetit. Vetëdija qytetare është po aq e rëndësishme sa organizimi shtetëror. Në këto ditë, vendi më i sigurt është shtëpia, pranë familjeve tona, ku na duan dhe kujdesen për ne. Në shtëpi le ta ruajmë veten dhe mbrojmë njëri-tjetrin, sidomos të moshuarit. E nëse dikush ka simptoma sado të lehta, duhet të izolohet edhe nga anëtarët e familjes në një dhomë të veçantë”, theksoi Kurti, raporton KOHA.

Si kurrë më parë, kreu i ekzekutivit në mesazh thotë se higjiena është shëndet e shëndeti është jetë dhe se kujdesi i shtuar ndaj pastërtisë është pjesë e kulturës sonë.

“Por njësoj është edhe shtrëngimi i duarve. Pastroni duart edhe më shpesh e më gjatë, mbani distancën fizike dhe patjetër evitoni zakonin e shtrëngimit të duarve me të tjerët. Meqë ndodhemi brenda dhe do të kemi më shumë kohë se hapësirë, bëjeni atë kohë të frytshme”, shtoi Kurti.

Gjatë kohës sa qytetarët qëndrojnë brenda, Kurti tha se është mirë të lexojnë libra, të shikojnë filma e të dëgjojnë muzikën e preferuar.

“Jam krenar me mobilizimin e të gjithëve për të parandaluar përhapjen e virusit korona në vendin tonë. U jam mirënjohës sa s’thuhet mjekëve, infermierëve, policëve, ushtarëve, zjarrfikësve, inspektorëve dhe të gjithë atyre që po e rrezikojnë jetën e tyre për të gjithë neve. Le të vazhdojmë të veprojmë me përgjegjësi të lartë. Do ta përballojmë edhe këtë. Qeveria është me juve sepse shteti është për juve”, përfundoi Kurti.