Arbëri

Çfarë parasheh emergjenca e shëndetit publik, që u vendos në Kosovë

Foto: Koha

Qeveria e Kosovës ka shpallur emergjencë të shëndetit publik. Kjo është bërë pas kërkesës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Përmes këtij vendimi, institucionet obligohen që të veprojnë në përputhje me Planin e Reagimit Kombëtar.

Në vendimin e marrë nga Qeveria thuhet se do të bëhet aktivizimi i funksionit mbështetës emergjent 8.

Ky funksion, përveç tjerash përfshin ofrimin e shërbimeve mjekësore kudo që është e nevojshme, dhe jo vetëm në objektet shëndetësore.

FME8 ndahet në tri shtylla: Shëndeti publik dhe ndihma mjekësore, pajisjet dhe furnizimet mjekësore si dhe menaxhimi dhe transportimi i të plagosurve dhe të vdekurve.

Funksionin mbështetës emergjent 8 për shëndetin publik dhe shërbimet mjekësore përfshinë:

– Shëndeti publik dhe ndihma mjekësore (FME 8): Ekziston nevojë domethënëse për shëndet publik dhe ndihmë mjekësore, përfshirë shërbimet e shëndetit mendor. Ndihma mjekësore është e nevojshme jo vetëm në objektet mjekësore, por në pikat e evakuimit të të plagosurve, në pikat dhe strehimoret e të evakuuarëve dhe të refugjatëve dhe në lokacionet tjera për mbështetjen e operacioneve fushore. Për më tepër çdo nevojë kontaminuese rrit nevojën për asistencë teknike.

– Pajisjet dhe furnizimet mjekësore (FME 8): ekziston nevoja për sasi të mjaftueshme të preparateve farmaceutike për qëllime parandaluese dhe terapeutike, si dhe përsonel të kualifikuar mjekësor. Sigurimi i vaksinave për parandalim të sëmundjeve të caktuara ngjitëse që mund të paraqiten gjatë katastrofave.

– Menaxhimi dhe transportimi i të plagosurve dhe të vdekurve (FME 8): resurset qendrore mund të këkohen për zbatimin e menaxhimit të transportit dhe kujdesit për viktimat e sëmura, plagosura apo ekspozuara, nëse numri i tyre është jashtëzakonisht i madh. Për më tepër, numri i pafund i të plagosurve ka gjasa t’i mbingarkoj kapacitetet në dispozicion të shërbimeve mjekësore regjionale dhe lokale.