Arbëri

Në rajonin e Pejës, vetëm Deçani po i dezinfekton objektet shkollore

Descriptive Text

Pas ndërprerjes së procesit mësimor me urdhër të Qeverisë së Kosovës shkaku i koronavirusit, nga komunat e rajonit të Pejës, vetëm Deçani është duke kryer aktualisht dezinfektimin e të gjitha objekteve shkollore dhe hapësirave përreth objekteve.

Në këtë komunë siç thotë drejtori i Arsimit, Bekim Vishaj, me urdhër të kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj, ishin bërë përgatitjet për dezinfektim të këtyre objekteve edhe para se të merrej vendimi për ndërprerje të procesit mësimor.

“Kishim planifikuar që dezinfektimi të bëhet pas orëve të mësimit. Por tash pasi u ndërpre mësimi, dje (enjte) kemi filluar dhe llogarisim që sot të përfundojmë dezinfektimin e të gjitha 24 objekteve dhe vendeve shkollore në komunën e Deçanit”, tha ai.

Vishaj tregon se për dezinfektimin e objekteve shkollore nuk kanë pasur nevojë të kontraktojnë operator të specializuar, pasi sipas tij, këtë punë është duke e kryer një grup i përbërë nga zyrtarë komunalë dhe teknikë të shkollave, që janë trajnuar para dy vitesh në këtë fushë nga KFOR-i.

“Vetëm i kemi blerë preparatet e nevojshme dhe ky ekip është duke e kryer dezinfektimin e shkollave. Të shohim edhe situatën si po rrjedh ditët në vazhdim dhe para se të rifillon mësimi, nëse ka nevojë do të kryejmë edhe një dezinfektim të objekteve shkollore”, thotë Vishaj.

Përveç Deçanit, asnjëra prej tri komunave tjera në këtë rajon, Peja, Klina dhe Istogu, nuk janë duke e bërë dezinfektimin e objekteve shkollore, por vetëm pastrimin normal të shkollave me preparate sanitare e higjienike.

“Në objektet e shkollave të komunës së Pejës nuk është duke u kryer dezinfektimi, që duhet bërë përmes kompanive të specializuara. Për këtë punë duhet të vendosë kryetari i komunës”, tha drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj. Shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Durim Sheremeti, tha se kryetari Gazmend Muhaxheri, ende nuk ka vendosur që të dezinfektohen objektet shkollore.

“Të shohim në takimin e nesërm mos po vendoset diçka”, pohoi Sheremeti. Dezinfektimi i objekteve shkollore nuk është duke ndodhur as në komunën e Klinës e as në komunën e Istogut.

“Për momentin vetëm po bëjmë pastrimin e shkollave me preparate sanitare e higjienike, kurse dezinfektimin e objekteve një herë nuk jemi duke i bërë”, ka thënë Enver Gashi, drejtor i Arsimit në KK Klinë. Njëjtë, tha edhe Hajrush Shoshi, drejtor i Arsimit në Istog, duke mos e përjashtuar mundësinë që dezinfektimi i shkollave mund të kryhet ditët në vazhdim.

Procesi mësimor është ndërprerë deri më 27 mars.