Arbëri

Borrelli-Kurtit: BE-ja kërkon heqjen e plotë të tarifës, për dialogun duhet unifikim i politikës së brendshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëkohësisht Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell Fontelles.

Në letrën e tij, Borrell ka thënë se është i kënaqur ndaj Kurtit që marrëdhënien me BE-në e ka vënë si punë të tijën kryesore, duke shtuar po ashtu se ka mirëpritur njoftimin e kryeministrit javën e kaluar për tarifat, që siç shkruan ai, paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur.

“Jam i kënaqur që marrëdhënien me BE-në e keni vënë si punë tuajën kryesore, kjo përputhet mirë me qasjen prioritare të BE-së ndaj të gjithë rajonit, përfshirë Kosovën. Ngjashëm, unë e mirëpres synimin tuaj në vazhdimin e reformave të domosdoshme që ta shtyjeni përpara sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë në Kosovë; këto janë elemente kyçe për të ardhmen tuaj”, ka shkruar ai, transmeton KOHA.

Borrell tutje ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, derisa ka shtuar se normalizimi i marrëdhënieve është pjesë e rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës.

“Angazhimi juaj personal për arritjen e plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është pjesë e rëndësishme në për rrugën tuaj evropiane. Vendosmëria juaj është përzemërsisht e mirëpritur nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Unë besoj që si kryeministër ju do të udhëhiqni me negociatat në dialog në mënyrë gjithëpërfshirëse. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të duhej të jetë projekt unifikues, mbi politikën e brendshme, sepse do të fitojë përkrahje të gjerë politike nga gjithë lidershipi politik”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se “Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare besojnë fuqishëm se rifillimi i bisedimeve të dialogut është i domosdoshëm dhe urgjent dhe do të kërkojë heqjen e plotë të tarifave. Sikur që e kemi përsëritur, ne po ashtu presim që Serbia ta bëjë pjesën e saj, për rifillimin e procesit”.

Ai thotë se bashkë me Kurtin është pajtuar që marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht.

“Unë e mirëprita njoftimin tuaj javën e kaluar për tarifat, që paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur. Neve na duhet heqja e plotë e tarifave. Në këtë kontekst unë pajtohem plotësisht me ju se marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht. Serbia, sikur Kosova, duhet t’i përmbushë zotimet për zbatimin e atyre marrëveshjeve. Në letrën tuaj ju keni përmendur mekanizma monitorues dhe sanksionues: Bashkimi Evropian që nga fillimi i dialogut ka vendosur mekanizma konkret dhe gjithëpërfshirës për t’u siguruar se të dyja palët i përmbahen zotimeve të veta në marrëveshjet ekzistuese dhe ato në të ardhmen”, ka thënë ai.

Borrell tutje ka njoftuar se planifikon ta vazhdojë praktikën që ministrat e shteteve anëtare të informohen rregullisht në Këshill nga Përfaqësuesi i Lartë/ Zëvendës presidenti.

“Shtetet anëtare janë po ashtu të informuara rregullisht se sa i përmbahen të dy palët zotimeve të dialogut respektivisht, si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim në Kosovë, në Grupin e Veçantë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, dhe si në pjesën e procesit të anëtarësimit të Serbisë, nën kapitullin 35", ka shkruar ai.