Arbëri

MPB-ja thotë se janë mbyllur edhe shkollat në veri

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka mbajtur sot, një takim koordinues me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, për të ndërmarrë të gjitha veprimet që kanë dalë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për masat parandaluese të koronavirus COVID-19. Veliu thotë se në vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e shkollave deri më 27 mars, përfshihet edhe veriu i Kosovës.

Veliu thotë se ka kërkuar nga Policia e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas këtij vendimi, dhe ka kërkuar në veçanti që të gjitha shkollat që veprojnë në veri të Kosovës dhe që punojnë me plan-programe të Serbisë të mbyllen sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Sipas MPB-së, në këtë takim "është konstatuar që tashmë janë bërë të gjitha veprimet e duhura dhe tashmë të gjitha ato shkolla janë të mbyllura dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, deri në vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës".

“Veliu ka vënë në funksion të gjitha mekanizmat e sigurisë që veprojnë në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të jenë në gatishmëri të plotë për çfarëdo nevoje në menaxhimin e pandemisë që ka përfshirë shumë vende të botës. Veliu kërkon nga qytetarët e Kosovës që të kenë maturi, të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin me kujdes të gjitha udhëzimet që dalin nga institucionet e vendit, sepse vetëm kështu të gjithë së bashku do të tejkalojmë këtë situatë”, thuhet në njoftim.

Por të kundërtën e raportoi pak më herët KP, që ka qenë për ta parë gjendjen në veri.

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sipas tyre, procesi mësimor ka vazhduar normalisht të enjten.

LEXO EDHE: Në komunat serbe nuk respektohet vendimi i Qeverisë për ndërprerje të procesit mësimor

Edhe procesi arsimor në shkollat e komunës së Graçanicës, ku punohet me sistem paralel, atë të Serbisë, ka vazhduar edhe sot kur në fuqi është futur vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndërprerje deri më 27 mars, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit, raporton KOHA.

Njëjtë, procesi arsimor vazhdoi edhe në katër komunat serbe në veri të vendit, ku po ashtu punohet me sistem paralel. Por ndryshe nga komunat veriore, për Graçanicë është paralajmëruar ndërprerja e procesit mësimor.

Komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, ka thënë për “Rtv Kim” se duhet të zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës. Ai thotë se për këtë ka njoftuar edhe drejtorin për Arsim në komunën e Graçanicës, Srgjan Popoviq.

Serbia ka refuzuar të mbyllë shkollat si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit, duke thënë se është “hap i ngutshëm” dhe si pasojë, edhe shkollat në gjuhën serbe në Kosovë, po zbatojnë këtë urdhër.

Sipas tij, vendimi do të zbatohet edhe për orarin e restoranteve dhe kafiterive. Me vendim të Qeverisë, pas orës 23:00 duhet në mbyllen.