Arbëri

Rukiqi thirrje të mbushen raftet e zbrazëta: Miell e produkte ka mjaftueshëm, s’ka arsye për panik e as rritje çmimesh

Foto: Koha

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se nuk ka nevojë për panik dhe rritje çmimesh, meqenëse ka sasi të mjaftueshme të miellit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Rukiqi ka thënë se për të parandaluar çdo mundësi të çrregullimeve në treg, Ministria e Ekonomisë duhet të bëjë verifikim urgjent të rezervave shtetërore dhe të përgatisë veprime konkrete për aktivizim të rezervës shtetërore.

Ai u ka bërë thirrje shitësve që t’i mbushin raftet sa më shpejt, meqenëse raftet e zbrazëta krijojnë panik.

“Kërkesë për shitësit me pakicë: Raftet e zbrazët krijojnë panik. Bëni të gjitha përpjekjet që raftet të mbushen në kohë sa më të shpejtë, pasi që në treg ka produkte të mjaftueshme, për të gjitha kategoritë”.

LEXO EDHE: Kush vëren rritje të çmimeve të produkteve mund të raportojë në numrin 0800 80 800

Postimi i Rukiqit:

Me rëndësi

- Nga informacionet, prej të gjithë furnizuesve kryesor: Ka sasi të mjaftueshme te miellit, pra nuk ka as arsye për panikë, as për rritje çmimesh;

- Për të parandaluar çdo mundësi të çrregullimeve ne treg, Ministria e Ekonomisë, duhet te bej verifikim urgjent të rezervave shtetërore dhe te pergadisë veprime konkrete, për aktivizim të rezervës shtetërore;

- Kërkesë për shitësit me pakicë: Raftat e zbrazet krijojnë panikë. Bëni te gjitha përpjekjet që raftat të mbushen në kohë sa me të shpejte, pasi qe në treg ka produkte te mjaftueshme, për të gjitha kategoritë