Arbëri

Senatori që kërkon tërheqjen e ushtarëve nga Kosova ishte dikur rival i Trumpit e pastaj u bë krah i tij në Rusi

Foto: Reuters

E përditshmja amerikane “New York Times” kishte shkruar më 2018-tën për Rand Paulin, senatorin amerikan që të mërkuren është bërë pjesë e debatit rreth tërheqjes së ushtarëve amerikanë në Kosovë, duke vlerësuar “se është koha që ata të kthehen”.

“Sa ishte kandidat në garën kundër Donald Trumpit, më 2016, për sigurimin e nominimit presidencial republikan, senatori Rand Paul nga Kentucky pat thënë se ‘një copë gjëje e pistë do të ishte president më i mirë’ sesa biznesmeni bombastik nga New Yorku”, shkruan kjo e përditshme.

LEXO EDHE: Edhe një senator amerikan vlerëson se “është koha që ushtarët të kthehen nga Kosova”

E pastaj, kishte ndodhur puna e ndërhyrjes së Rusisë së Vladimir Putinit, në fushatën për Shtëpinë e Bardhë. “Papritur, në mendjen e senatorit të ri nga Kentucky, Trumpi është lartësuar”, ka shkruar gazeta njujorkeze. Ai madje ishte vënë në mbrojtje të të parit të SHBA-së, duke i kritikuar tjerët për “urrejtjen e madhe ndaj presidentit”.

E kështu, ndikimi i tij në administratën Trump ishte fuqizuar.

“New York Times” shkruan se kishte qenë ide e tij të pezullohen lejet e sigurisë për armiqtë politikë të Trumpit.

Ai e kishte vizituar Moskën në gusht të 2018-tës, në cilësinë e të dërguarit të Trumpit, “pas një takimi që e kishte pasur me Putinin”, kishte thënë vetë gjatë një interviste.

“Qëllimet tona nuk janë domosdoshmërisht, arritja e paqes në botë me një udhëtim në Rusi, por qëllimet tona janë përpjekjet për të gjetur disa pika drejt të cilave mund të avansojmë”, kishte thënë ai.

Pauli kishte qenë po ashtu i zëshëm në tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

“Vazhdoj ta inkurajoj presidentin Trump se ai do të bëhej hero, nëse i jep fund luftës në Afganistan”, i kishte thënë ai “New York Times”-it në një deklaratë të dërguar me email.

Ai dhe presidenti, si ka thënë ky senator, “kanë besim të ngjashëm se kemi qenë në luftë për një kohë të gjatë dhe në shumë vende”.