Arbëri

Vitia thotë se qytetarëve të veriut të Shqipërisë duhet t’u ofrohen shërbime shëndetësore në Gjakovë e Prizren

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, gjatë një takimi me Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, ka thënë se kanë biseduar për bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë dhe për koordinimin e aktiviteteve për një përgjigje sa më efektive ndaj situatës epidemiologjike me Koronavirus Covid-19.

Në këtë takim, Vitia ka shprehur përkushtimin e tij dhe të MSH-së që qytetarëve të zonave veriore të Shqipërisë t’u mundësohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore në institucionet shëndetësore të Kosovës, në komunat Gjakovë e Prizren.

“Kjo është pjesë e një bashkëpunimi midis dy shteteve në shëndetësi, por edhe obligim vëllazëror për të ndihmuar njëri-tjetrin”, tha ministri Vitia.

Ambasadori Minxhozi nga ana e tij ka falënderuar ministrin dhe MSH-në për gatishmërinë për të kontribuar në fuqizimin e bashkëpunimit në interes të qytetarëve të dy shteteve.