Arbëri

Qeveria e Kosovës miraton projektbuxhetin për vitin 2020

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore/ Ilustrim

Është miratuar projektbuxheti për vitin 2020 në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, megjithatë, nuk është specifikuar se sa është ai.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi tha se “Në vitin 2020 pritet të ketë mbi 2 miliardë të hyrat totale, 131 milionë euro pritet të ketë rritje prej 2019-s”.

“Shpenzimet buxhetore për këtë vit do të jenë mbi 2 miliardë e 350 milionë euro", tha ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pyeti nëse 2 milionë euro të kërkuara nga avokatura shtetërore janë përfshirë aty.

"Ju kam njoftuar që MD-ja do përballet me arbitrazhe. Do të doja të informohesha nëse 2 milionë euro që janë kërkuar nga avokatura shtetërore janë përfshirë në buxhet", pyeti ajo, raporton Koha.

Ministri Besnik Bislimi i tha se “Ne kemi vendos tek avokatura e shtetit 1.1 milionë euro pastaj nëse ka nevoja shtesë atëherë gjatë rishikimit mundemi me i akomodu kërkesat shtesë".

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami tha se "Duhet të shprehë një shqetësim për punëtorët e arsimit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“304 persona që janë pjesë e arsimit dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Me qenë se kjo është e pamundur që të adresohet me ligjin për buxhetin kërkoj nga ministritë përkatëse në mënyrë që atyre të iu mundësohet pensionimi më i hershëm dhe pagë prej 70 përqind", tha ajo.