Arbëri

Pika kufitare Kulla e Pejës nga sot 24 orë me ekip mjekësor kujdestar

Në pikën kufitare Kulla të Pejë, nga ora e parë e mëngjesit të ditës së hënë është vendosur një autoambulancë dhje ekipin mjekësor për të kujdestaruar 24 orë, pas ngritjes së nivelit të rrezikshmërisë nga koronavirusi.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik për Rajonin e Pejës, Adnora Nurboja, të hënën i ka konfirmuar Kohës Ditore se në këtë pikë kufitare me Malin e Zi, deri sot nuk ka pas kujdestari 24 orësh, por kanë shkuar nëse janë ftuar për ndonjë rast të dyshimtë nga policët në këtë pikë kufitare.

“Është rritur rrezikshmëria dhe nga mesnata është vendosur ekipi mjekësore kujdestare me autoambulancë. Këtë javë do të kujdestarojë ekipi mjekësor i QKMF-së të Istogut, javën tjetër është ekipi i QKMF-s së Pejës, pastaj e Deçanit dhe javën e katërt Klina dhe pastaj serish me rotacion”, tha drejtoresha e këtij instituti të shëndetit publik në Pejë, që është menaxhues i situatës në këtë rajon dhe i raportojnë për çdo gjë Institutit Kombëtar.

Në podrumin e objektit të Institutit të Shëndetit Publik në Pejë gjenden edhe hapësirat për karantinë, në rast nevoje, për t’i izoluar pacientët e dyshuar nga kontakti i jashtëm. Në këtë hapësirë, sipas Nurbojës, mund të vendosën deri në 20 veta. Edhe Spitali i Përgjithshëm i Pejës tashmë është përgatitur të përballet me situatën në rast se shfaqen raste të dyshuara, megjithëse pacientët e mundshëm me koronavirus nuk do të mbahen në këtë spital, por do të dërgohen në Kliniken Infektive në Prishtinë.

“Në nivel të spitalit jemi përgatitur. Rastet që janë të dyshimta menjëherë dërgohen për në Prishtinë. Spital ka formuar Komitetin e spitalit për menaxhimin e situatës. Kemi ndarë një hapësirë me dy dhoma të pajisura dhe janë të izoluara për rastet e dyshimta. Jemi në gatishmëri dhe mundemi përkohësisht me i mbajt pacientët e dyshimtë derisa të konstatohet nëse është apo jo me atë virus dhe pastaj dërgohen për në Prishtinë. Deri tash i kemi këto rekomandime nga niveli qendror”, thotë shefi i repartit infektiv në këtë spital, Zenel Shatri.