Arbëri

Aparatura e trajtimit të kancerit të mitrës, edhe pas 5 vjetësh vazhdon të jetë jashtë funksionit

5 vjet pas blerjes së aparaturës së brahiterapisë, Onkologjia do të vazhdojë të mbesë pa këtë shërbim që përdoret për trajtimin e sëmundjeve të kancerit.

Brahiterapia, që trajton pacientet e prekura nga kanceri i qafës së mitrës, e cila kryen rrezatimet në mënyrë të sofistikuar, duke kursyer qelizat e shëndosha dhe duke rrezatuar maksimalisht tumoret, vazhdon të jetë jashtë funksionit në Onkologji, raporton KOHA.

Për shumë vjet Instituti i Mjekësisë së Punës pas matjeve të kryera kishte ardhur në përfundim se në dhomën ku do të kryhej brahiterapia nuk kishte mbrojtje të mjaftueshme nga rrezatimi, dhe kishte rekomanduar intervenime për të rritur sigurinë.

Në një përgjigje për KOHËN, kryeshefi i këtij institucioni, Beqir Mezelxhiu, thotë se disa prej rekomandimeve që i ishin dhënë kohë më parë Onkologjisë ishin që edhe dera e mjedisit çlodhës, që ndodhet sipër kabinetit të brahiterapisë, e cila shërben edhe si dalje emergjente, të mbyllet, dhe dalja emergjente të hapet në dritaren që ndodhet përballë shkallëve.

Tjetër rekomandim ishte edhe eliminimi i lagështisë në mjediset e këtij reparti.

Ekrem Hyseni, i cili është anëtar në Komisionin për Shëndetësi, njëherësh edhe doktor në këtë repart, shprehet optimist se ky shërbim do të funksionalizohet shumë shpejt.

Ai thotë se rastet e tilla vazhdojnë të rekomandohen për në shtetet e rajonit, shërbim i cili ka kosto të madhe.

Përderisa drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurteshi, ka thënë se aparatura do të funksionalizohet më së largu në muajin prill, dhe, sipas tij, nuk ka shumë paciente që kërkojnë shërbime të tilla.

Sipas Kurteshit, kjo aparaturë ka specifika të ndryshme, andaj s’kanë mundur që ta funksionalizonin.

Ndërkaq në përgjithësi numri i pacientëve që kanë shkuar për shërim jashtë shtetit është mjaft i madh.

Sipas Fondit të Sigurimeve Shëndetësore 2019, janë 1312 raste që shtetit i kanë kushtuar 8.7 milionë euro.

Viti 2017 – 1741 raste - afërsisht 12.56 milion €

Viti 2018 – 1395 raste - afërsisht 9.2 milion €

Viti 2019 – 1312 raste - afërsisht 8.7 milion €