Arbëri

Meta bën apel publik që të merren masa për parandalimin e koronavirusit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë një apel publik në lidhje me masat që duhet të merren për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Sipas Metës situata është emergjente dhe duhet forcimi i masave sanitaro-epidemiologjike.

“Kam ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet lidhur me pandeminë e koronavirusit, që për fat të keq janë rënduar së tepërmi, kur të gjithë do të donim që të ndodhte e kundërta”, ka shkruar ai në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Meta thotë se “më 31 janar të këtij vitit kam tërhequr publikisht vëmendjen për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike shumë të forta nga vendi ynë, edhe pse atëherë Italia kishte vetëm 2 të prekur nga coronavirusi”.

Ai thotë se sot situata paraqitet shumë më e rënduar në të gjithë botën, ku rezultojnë 106 vende të prekura, ndërsa Italia veçanërisht ka një rëndim ekstrem me mbi 5061 raste dhe rreth 233 vdekje.

Duke vlerësuar këtë situatë, Meta ka kërkuar aplikimin e të gjitha kufizimeve me Greqinë e Italinë, me të cilët thotë se kanë shkëmbimet më intensive.

“Për shkak se gjendja në Itali por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të “Zonës së Kuqe”, si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24. Vënien në dispozicion të financimit të plotë, shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjekësor të mobilizuar për përballimin e situatës”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka kërkuar angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjenës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv.