Arbëri

​“8 Marsi nuk është ditë e dashurisë, por e perspektivës së gruas”

Instituti Shkencor Kosovar-Suedez ka mbajtur konferencën shkencore ndërkombëtare me titull “110 vjet Përpjekje për të Drejtat e Grave”.

Aty u tha se përpjekjet për barazi nuk do të përfundojnë asnjëherë, deri sa ato të zbatohen plotësisht. Derisa për Kosovë u kërkua materializimi në praktikë i legjislacionit në fuqi ku iu garantohen të drejtat e grave.

Drejtoresha e institutit, Salihe Salihu, duke folur për rolin e gruas në shoqëri, tha se duhet të bëhet e qartë te të gjithë, se kjo datë nuk është ditë e dashurisë, por ditë e perspektivës së gruas.

“8 Marsi nuk është ditë e dashurisë por e sigurisë, ditë e së ardhmes dhe perspektivës për të gjithë kombin dhe shoqërinë”, tha ajo.

Ndërsa, profesori universitar, Bejtush Gashi, tha se gratë në Kosovë kanë arritur të kenë përfaqësimin e tyre në institucionet në Kosovë, por sipas tij duhet të bëhet më shumë që ky përfaqësim të jetë më i madh.

Në lidhje me këtë, Gashi tha se efekt ka pasur legjislacioni në fuqi, por kërkoi që ai përveç që duhet të krijojë siguri për gratë, duhet edhe të materializohet në praktikë.

Duke folur për përfaqësimin e grave në institucione të sigurisë, profesori Gashi tha se duhet të punohet ende për t’i thyer të gjitha paragjykimet në inkuadrimin e femrave në polici.

Sipas tij, mbështetur në statistika, pjesëmarrja e grave në Polici është rreth 12 për qind.

Pjesë e kësaj konference ishin dhe pjesëtar të tjerë të cilët njëzëri kërkuan përfaqësim dhe fuqizim më të madh të grave në shoqëri./ksp/