Arbëri

​Kurti e Osmani thonë se sakrifica e Jasharëve duhet të jetë mësim për shqiptarët

Descriptive Text

Në ditën e fundit të manifestimit të ditëve të "Epopesë së UÇK-së”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe te shtëpia e familjes Jashari në Prekaz.

Të dy krerët e shtetit kanë vendosur kurora lulesh në shtëpinë që është simbol i lirisë së vendit, por asnjëri nuk ka folur për gjendjen në të cilën janë lënë Kullat e Jasharëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendosën lule të freskëta në vendin ku ranë Adem e Hamëz Jashari.

"Sot në ditën e tretë të ‘Epopesë së UÇK-së’, u mirëpritëm nga baca Rifat dhe bashkë me të dhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, vendosëm lule të freskëta pikërisht aty ku janë vrarë, te shtëpia e Ademit e Hamzës. Me këtë rast, sot është edhe 7 marsi, është dita e mësuesit, e ne të gjithë e dimë se baca Shaban ka qenë mësues, pra ka qenë edhe mësues popullor, edhe mësues i Prekazit edhe mësues i Ademit, Hamzës dhe i bacit Rifat. Prandaj, sot ne e kujtojmë në veçanti edhe atë në një ditë të veçantë si kjo", tha Kurti.

Kreu i shtetit nuk ka dashur të flasë nëse ka një platformë ose rezolutë për dialog me Serbinë që i ka kryer këto krime në Kosovë.

"Nuk po mendoj që është vendi dhe koha sot të flasim për atë", tha shkurt ai.

Ai gjithashtu nuk ka dashur të komentojë as rreth deklaratës së të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell se do të ndalin investimet për Kosovën nëse nuk largohet taksa ndaj produkteve serbe.

Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ishin në familjen Jashari për të nderuar kujtimin e të gjithë të rënëve dhe kujtimin për komandantin legjendar, Adem Jashari.

Osmani tha se kishin mundësinë të dëgjonin nga familja Jashari për peripecitë në të cilat ka kaluar kjo familje për dekada me radhë, por gjithmonë duke u dëshmuar si mbrojtës të çështjes kombëtare.

"Shpresoj që fryma e bashkëpunimit dhe e bashkimit të këtyre tri ditëve do të vazhdojë edhe pas 7 marsit, sepse është pikërisht sakrifica e kësaj familjeje që duhet të jetë si mësim për secilin shqiptar dhe secilin qytetar të Republikës sonë”, tha Osmani.

Kurti e Osmani janë pritur nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, i cili i ka shoqëruar edhe gjatë homazheve te kullat.

Sot përfundon manifestimi "Epopeja e UÇK-së", ku në mbrëmje do të organizohet nata e zjarreve në Prekaz./ksp/