Arbëri

Avokati i Popullit: Kemi kërkuar pezullimin e ndërtimit të hidrocentraleve

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kanë kërkuar që të pezullohen të gjitha aktivitetet për ndërtimin e hidrocentraleve në mënyrë që të mbrohet ambienti.

“Kemi përcjellë një masë të përkohshme ku kemi kërkuar nga Qeveria paraprake që të pezullojë të gjitha aktivitetet lidhur me ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, me arsyetimin se janë duke dëmtuar ujërat e vendit dhe nuk janë në pajtueshmëri me ligjin që rregullojnë dhënien e këtyre lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve”, ka thënë Jashari.

Tutje ai ka theksuar se qeveria e kaluar nuk e ka respektuar këtë masë, por tani kjo masë është duke u shqyrtuar.

“Kjo masë e përkohshme është një ndër më të ashprat që nuk është respektuar nga Ministria përkatëse, pastaj kjo çështje ka mbetur zvarrë. Qeverisë së re ia kemi përcjellë të njëjtin material që Ministria përkatëse të shqyrtojë edhe njëherë. Propozimi ynë është që të pezullohen aktivitetet për këto hidrocentrale derisa të kryhen hetimet”, u shpreh ai.

Por, ai ka pranuar se në raste të tilla kompanitë që kanë marrë leje për hidrocentralet do të mund ta çojnë Kosovën në Arbitrazh.

E një situatë e tillë kishte ndodhur më parë për Kosovën, kur kishte paguar 250 mijë euro për lumin Sitnicë, shumë të cilën ia ka paguar Serbisë.

“Ndotja e lumit Sitnica ka qenë një nga rastet e tilla (e dërgimit të Kosovës në Arbitrazh), ku Kosova është detyruar të paguajë shumën prej 250 mijë euro për shkak të ndotjes së lumit. Fatkeqësia qëndron se këtë shumë Kosova ia ka paguar Serbisë për shkak se ky lum kalon në territorin e Serbisë. Kurse në atë kur ndodhën vërshimet, lumi doli nga shtrati, ndërkohë nga KEK-u ka hequr fenolin, i cili ishte i vendosur në disa bazene aty afër dhe tërhoqi rrjedhën e lumit deri në Serbi. Kurse qytetarët me këtë rast kanë mbetur të pakompensuar dhe të pambrojtur nga asnjë masë edhe për kundër faktit se edhe vet institucionet kishin pranuar një ndotje të tillë”, ka thënë Jashari.