Arbëri

Tim Judah: Demanti i Grenellit, dëshmi se kam të drejtë

Publicisti dhe gazetari Tim Judah, ka thënë se demanti që i ka bërë i deleguari special i Administratës Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, dëshmon se ai ka të drejtë.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit, Judah, ditë më parë shkroi në Twitter se Richard Grenelli dhe njerëzit e Trumpit dëshirojnë të lëvizin shpejt drejt një marrëveshje të madhe. Po ashtu, ka specifikuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është në fund të mandatit dhe se kjo paraqet problem, duke qenë se amerikanët janë duke bashkëpunuar intensivisht me të.

Në këtë i reagoi Grenelli, duke i thënë Judahs, po përmes Twitterit: “Gabim. Ju nuk e dini se për çfarë po flisni. Askush s’është duke provuar që t’i lëvizë gjërat shpejt dhe nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të madhe. Ju po trilloni gjëra”.

Judah të premten ka publikuar në Twitter linkun e intervistës së dhënë për gazetën “Danas.rs”, e ku thotë se demanti që i bëri Grenelli, e bind se ai ka të drejtë në atë që ka thënë.

“Kjo do të thotë se ajo që kam thënë është e vërtetë, pasi po të ishte ndryshe, ai nuk do të merrte mundin të reagonte në stilin e Trumpit. Amerikanët janë të hidhëruar që kjo informatë është publikuar”, ka thënë Judah.

Judah tha se në takimin e fundit mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington, u bisedua për ndërrim të territoreve, pa obligimin e Serbisë që ta njohë Kosovën, por që ajo të mos e pengojë të anëtarësohet në OKB.

“Gazetarët e vërtetë nuk kanë asnjë motiv që të përhapin lajme të rreme, në të kundërtën ata nuk do të ishin gazetarë të vërtetë. Kur Vuçiq ka thënë se unë jam i gëzuar vetëm kur Serbisë i ndodh diçka e keqe, atëherë ka gabuar rënd”, ka thënë Judah, duke treguar se ka bërë edhe lajme të mira për Serbinë.

Ai ka folur edhe për gjërat që sipas tij, ndodhin prapa skenës ndërmjet Vuçiqit dhe Thaçit.

Ka edhe një arsye pse ndodh kjo.

“E para, pasi nuk kanë përgjigje. Nuk ka asnjë marrëveshje për çështje të caktuara, përfshirë asociacionin e komunave serbe. Për Thaçin, problem është se asgjë nuk mund ta aplikojë në terren. Amerikanët vazhdojnë ta bëjnë atë si më të rëndësishmin, por nuk është. Albin Kurti tash është përgjegjësi. Për Vuçiqin, ajo që flet mund të shfrytëzohet kundër tij në zgjedhjet e ardhshme në Serbi. Për këtë është mirë të mos dalë në opinion”, ka shtuar ai.