Arbëri

Kurti thotë se dallimet në politikën e jashtme cenojnë tërësinë territoriale të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk bën të ketë polarizime në politikën e jashtme, meqë në këtë rast nuk humbin politikanët, por Kosova.

Në fjalimin që mbajti të enjten, në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kazermën “Adem Jashari”, me rastin e shënimit të 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, i pari i ekzekutivit kosovar, tha se gabimet në politikën e jashtme cenojnë integritetin territorial.

“Ne mund të përballojmë polarizimet për politika të brendshme, por nuk mund të përballojmë dallimet në politikën e jashtme, sepse ajo cenon tërësinë tonë territoriale, interesat tona strategjike dhe integritetin tonë institucional. Kur nuk pajtohemi dhe gabojmë në politikën e brendshme humbin liderët dhe partitë, por kur nuk pajtohemi për synimet e përbashkëta në politikën e jashtme, humb shteti”.

Kurti ditë më parë i nisi ftesë presidentit Hashim Thaçi për t’i bashkërenduar qëndrimet në politikën e jashtme. Kjo ishte ftesa e tij e dytë për presidentin.

“Unë do të kërkoj të ketë unitet përkundër dallimeve, sepse ne të gjithë jemi në shërbim të vendit dhe jo të vetvetes”, ka thënë Kurti.