Arbëri

Kthehet në rigjykim rasti i Naser Osmanit e të tjerëve për privatizimin e fabrikës “FAN”

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, duke vendosur sipas ankesave, ka marrë vendim në rastin e të akuzuarve Naser Osmani, ish-drejtori i AKP-së, Shkëlzen Lluka, Agim Deshishku dhe zyrtarët e tjerë Naim Avdiu, Merita Ymeraga, Bahri Shabani dhe Ardian Kelmendi, duke e kthyer atë në rigjykim.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 6 persona të tjerë akuzoheshin në lidhje me privatizimin e fabrikës “FAN” në Podujevë, porse ishin shpallur të pafajshëm.

Në kohën për të cilën akuzohej, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton Koha.

Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe biznesmeni Agim Deshishku si blerës i fabrikës “FAN”.

Sipas aktakuzës, Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 08.02.2019, në pjesën liruese të tij, e ku të akuzuarit N.O., B.Sh., Sh.L., N.A., M.Y. ishin liruar nga akuza për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, A.D ishte liruar nga akuza për shkak të veprës penale legalizimi i përmbajtjes së rremë në vazhdimësi, si dhe ishte refuzuar kërkesa për konfiskim të pasurisë, të evidentuar sipas një urdhri ndalues afatgjatë, është prishur dhe lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë, në Rigjykim.

“Ndërsa pjesa fajësuese e këtij aktgjykimi, sipas të cilës i akuzuari A.D. është shpallur fajtor për veprat penale mashtrimi në vazhdimësi dhe shmangie nga tatimi, e për të cilat është dënuar më 1 viti e 8 muaj burgim dhe dënimin me gjobë në shumë prej 10.000 euro, si dhe është obliguar që palës së dëmtuar ATK-së, t’i kompensoj dëmin në shumë prej 53.807.46 euro, është vërtetuar. Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës se prokurorit, por edhe sipas detyrës zyrtare gjeti se aktgjykimi i ankimuar, sa i përket pjesës liruese është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Ndërkaq pretendimet ankimore të mbrojtjes lidhur më pjesën fajësuese, janë refuzuar si të pa bazuara në ligj”, thuhet në njoftim.