Arbëri

Grenelli mohon se ka përpjekje të përshpejtuara për marrëveshje Kosovë-Serbi

Descriptive Text

Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka mohuar të ketë përpjekje të përshpejtuara për arritjen e një marrëveshjeje.

Këto komente ai i ka bërë në “Twitter”, duke e quajtur të pasaktë një vlerësim të dhënë nga njohësi i rrjedhave në Kosovë, Tim Judah, përmes po këtij rrjeti, transmeton Koha.net.

“Gabim. Nuk je duke e ditur se për çfarë po flet. Askush nuk po mundohet të veprojë me nguti dhe nuk ka marrëveshje madhore. Je duke shpikur gjëra”, shkruan ai në komentin të cilit ia ka shoqëruar vlerësimin e Judah për arritjen e një pike vendimtare në dialogun Kosovë-Serbi, pas takimit në Washington të hënën midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Mund të jemi afër pikës vendimtare në dialogun Kosovë-Serbi, pas takimit të djeshëm në Washington midis Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit”, kishte shkruar Judah përmes “Twitter”-it.

Por, sipas tij, problemi qëndronte tek fakti se Thaçi është president që nuk mund të realizojë asgjë, “përpos nëse e josh LDK-në të ndërrojë anë dhe ta rrëzojë qeverinë e Albin Kurtit. Shkëmbimi i territoreve është diskutuar natyrisht, krahas tërheqjes së menjëhershme të tarifave pa reciprocitet”.

“Serbia nuk do ta njihte Kosovën, por nuk do ta parandalonte anëtarësimin e saj në OKB dhe nëse ndodh ashtu, atëherë nuk pritet që Rusia (apo Kina) të vëjnë veto”, shkruan Judah.

“Nuk është diskutuar për Asociacionin e Komunave Serbe, por askush nuk do të mërzitej për serbët në Kosovë, nëse ka shkëmbim territoresh, edhe nëse shumica mbesin në Kosovë. Thaçit i ngutet, pasi që ditët i ka të numëruara dhe ma merr mendja se mund të ketë njerëz në PDK që e duan të njëjtën gjë, krahas fundit të një administrate Kurti para se të nisin hetimet kundër korrupsion, pasi që nëse kanë arsye t’i frikësohen Speciales, atëherë ata mund të shpresojnë se bashkëpunimi me amerikanët rreth kësaj mund t’iu japë një masë mbrojtjeje”, thotë njohësi i rrjedhave në Ballkan.