Arbëri

Përhapja e koronavirusit bëri që të shtohet niveli i sigurisë në pikat kufitare

Me maska mbrojtëse kanë kryer punën e tyre edhe policët e pikës kufitare në Han të Elezit, gjatë së shtunës.

Kjo është bërë pas marrjes së masave si rrjedhojë e përhapjes së koronavirusit që tashmë ka marrë përmasa globale.

Ndërsa, edhe përkundër vendosjes së kësaj karantine për kontrollime mjekësore emergjente, aty nuk u panë ekipe mjekësore të caktuara për kontrollime dhe intervenim emergjent.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për KTV-në se janë marrë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse për policë që shërbejnë nëpër zona kufitare.

Jozyrtarisht, televizioni ka mësuar se në këtë pikë kufitare janë ndaluar 14 persona të dyshuar për prekje nga virusi, mirëpo rezultatet e tyre kanë dalë negative.

Nga Qendra Mjekësore Emergjente në Han të Elezit kanë shpjeguar arsyet për mungesën e një ekipi mjekësor gjatë tërë kohës në këtë pikë kufitare.

Ndërsa kanë shtuar se për intervenime të tilla do të duhej të merreshin institucionet qendrore.

Gjatë së premtes, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 400 mijë euro për t’u përgatitur për koronavirusin, të cilat do të shërbejnë për furnizimin e punonjësve shëndetësorë me masa mbrojtëse.