Arbëri

Shoqata e Sigurimeve inkurajon qytetarët të denoncojnë inskenuesit e aksidenteve

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës përmes një komunikate ka përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës për kapjen e inskenuesve të aksidenteve të trafikut me qëllim përfitimesh të kundërligjshme.

Në komunikatë thuhet:

Besojmë se tanimë jeni njoftuar përmes mediave se Policia e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi dhe pune të gjatë, përmes një aksioni kanë zbuluar një grup personash të cilët prej disa vitesh janë marrë me mashtrim, falsifikim dhe inskenim të aksidenteve të trafikut, me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nga kompanitë e sigurimeve. Sipas deklaratës së Policisë së Kosovës, tanimë janë arrestuar disa persona, dhe hetimet janë në vazhdim për të zbuluar komplet këtë skemë të mashtrimit në dëm të tregut të sigurimeve.

Industria e sigurimeve e mirëpret këtë veprim të Prokurorisë dhe Policisë dhe njëherit i shpreh mirënjohje dhe i përkrah pa rezervë për veprimet e ndërmarra në këtë aksion duke i inkurajuar për veprime dhe aksione të tilla

Si industri jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë pa rezervë në zbulimin e rasteve të tilla të mashtrimit dhe përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, të cilat kanë për qëllim dëmtimin jo vetëm të tregut të sigurimeve, por edhe të vetë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Njëherit i ftojmë të gjithë qytetarët që të mos bien pre e këtyre personave e grupeve të organizuara apo individëve, të cilët mundohen të përfitojnë me veprimet e tyre të kundërligjshme

Bëjmë apel tek të gjithë qytetarët të cilët kanë mundur të jenë viktima të mashtrimeve të tilla, t’i lajmërojnë rastet e tyre dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që këta persona të dalin para ligjit, për veprimet e tyre kundërligjore.