Arbëri

Specialja nuk i pranon kritikat e KE-së për luftimin e korrupsionit, thotë se ka pak prokurorë

Shtatë muaj qëkur u funksionalizua Departamenti Special në Gjykatën Themelore dhe atë të Apelit, nuk dhanë rezultatet e pritura për të gjykuar lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas monitoruesve të sistemit të drejtësisë, gjatë vitit 2019 nuk është ngritur asnjë aktakuzë për korrupsion ndaj zyrtarëve të profilit të lartë, raporton KTV.

Për 18 muaj, Prokuroria Speciale ka ngritur vetëm një aktakuzë të korrupsionit të këtij profili.

Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Blerim Isufaj, thotë se nuk janë të kënaqur me luftimin e korrupsionit, duke arsyetuar këtë edhe më numrin e vogël të prokurorëve.

“Në këtë pyetje nuk është e lehtë të jepet përgjigje. Nuk mund të them se jemi të kënaqur apo të pakënaqur, sepse korrupsioni ekziston. Nuk mund ta mohojmë këtë fakt. Por nëse thua se a jam i kënaqur, nuk jam i kënaqur. Po nëse i shikojmë faktet e tjera apo gjendjen reale që ekziston, thjesht numrin e vogël të prokurorëve, të jeni të sigurt që nuk mund të bëjmë më shumë në këtë përbërje. Por unë po shpresoj që do të ritet numri i prokurorëve dhe profilizimi i tyre, trajtimi i tyre adekuat do të sjellë rezultate më të mira”, ka thënë Isufaj.

Pavarësisht se ekspertët e Komisionit Evropian konstatuan ngecje tek hetuesia për luftimin e korrupsionit, me këtë vlerësim nuk pajtohen në Prokurorinë Speciale.

Raporti i ekspertëve kishte konstatuar edhe mungesë të cilësisë së aktakuzave.

“Ne nuk jemi perfektë. Nuk qëndron edhe ky konstatimi se ne nuk i bëjmë aktakuzat mirë. Ne mund të themi se mundemi me i bë më mirë. Por, nëse e vlerësojmë faktin se 94 për qind e aktakuzave aprovohen nga gjykatat, atëherë ne nuk mund të konstatojmë që aktakuzat nuk bahen mirë. Se duhet që të insistojmë që të kemi performancë më të mirë kjo nuk diskutohet”, ka thënë Isufaj.

Ndërkohë, për të zgjidhur lëndët e korrupsionit e të krimit të organizuar në korrik të 2019-s u krijua Departamenti Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe në atë të Apelit.

Gjyqtari përgjegjës në Departamentin Special të Themelores Valon Kurtaj, në një përgjigje elektronike ka dhënë shifrat e lëndëve të zgjidhura gjatë 7 muajve të punës së këtij departamenti.

Gjyqtari Kurtaj ka thënë se ky departament ka ndikuar pozitivisht në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit.

Kurtaj ka kontestuar raportin e “Transparency International” në Indeksin për perceptimin e korrupsionit, ku Kosova pësoi rënie në listën e shteteve në luftën ndaj kësaj dukurie.

“Nuk kemi njohuri se cilat kanë qenë parametrat/kriteret e “Transparency International” në hartimin e listës në të cilën janë të pozicionuara shtetet në raport me korrupsionin, mirëpo me bindje të plotë themi se Departamenti Special dhe themelimi i tij nuk ka qenë parametër përcaktues i pozicionit të Kosovës në këtë listë. Të gjitha rastet e korrupsionit, të cilat janë pranuar në këtë departament, janë në procedurë dhe janë duke u trajtuar me prioritet”, ka thënë Kurtaj.

Ndërkaq kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, thotë se nga 17 lëndë që kanë pranuar vitin e kaluar, 7 prej tyre janë përfunduar.

Për dallim nga Gjykata Themelore, kreu i Apelit pranon mungesën e profesionalizmit tek gjyqtarët, por edhe tek prokurorët, sidomos në trajtimin e lëndëve të korrupsionit.

Ai thotë se lufta e korrupsionit nuk bëhet nëse gjykata shpall vendime të cilat janë me kusht, pasi me këto dënime gjykata e stimulon korrupsionin.

“Unë mendoj se këtu kemi ngecje dhe mungesë të profesionalizmit. Shpesh po më bie me përdorë. Këtë e vërtetoj edhe Komisioni Evropian, kur tha që akuzat e prokurorëve nuk janë profesionalisht të prezantuara në gjykatë dhe se ato paraqiten pa prova dhe argumente dhe që vërtetë e meritojnë me u gjykuar. Për këtë arsye, përveç që kemi ngecje në profesionalizëm si në prokurori, ashtu kemi ngecje edhe në gjykatë”, ka thënë Shala.

Shoqëria civile kritikon punën e Departamentit Special. Grupi për Studime Juridike dhe Politike thekson se pak lëndë të korrupsionit janë trajtuar nga ky departament.

Rreze Hoxha thotë se që në kohën kur është krijuar kanë pasur vërejtje për numrin e vogël të gjyqtarëve, pasi ky fakt ka sjellë edhe mosefikasitet.

“Do të thotë deri më tani, Departamenti Special i Gjykatës Themelore nuk është që ka trajtuar ndonjë rast të madh të profilit të lartë që do të thotë i takon kësaj natyre. Dhe nuk është që jemi të kënaqur në këtë aspekt. Të njëjtit kanë qenë të fokusuar në veprat tjera penale që janë në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ndryshe prej Departamentit Special të Themelores, Departamenti Special në Gjykatën e Apelit ka marrë disa vendime në këtë aspekt”, ka thënë Hoxha.

“Transparency International” në Indeksin për perceptimin e korrupsionit, vlerëson se Kosova shënoi rënie në luftimin e kësaj dukurie.

Nga vendi i 93-të, ku ishte renditur në vitin 2018 në luftën kundër korrupsionit, Kosova është radhitur e 101-ta për vitin 2019.

(Storia është mbështetur nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili përmes Ambasadës britanike në Prishtinë ka krijuar platformën “Drejtësia Sot”, me qëllim të monitorimit të punës së KGJK-së, KPK-së, të të gjitha gjykatave dhe prokurorive në Kosovë. Puna e zhvilluar në kuadër të kësaj platforme mbetet përgjegjësi ekskluzive e GLPS-së dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Ambasadës britanike në Prishtinë).