Arbëri

Ismaili apel institucioneve shëndetësore për mobilizim rreth koronavirusit

Pavarësisht që në Kosovë, deri më tani ende nuk është shënuar asnjë rast me Coronaviurs, rreziku për infektim ende qëndron.

Ky rrezik u shtua me ardhjen e virusit kinez në Itali, ku jetojnë numër i madh i shqiptarëve. Madje, pikërisht nga Italia, si raste të dyshimta janë trajtuar disa raste në Klinikën Infektive në Kosovë e të cilat rezultuan negativ.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në një intervistë për Ekonomia Online tha se diaspora e madhe shqiptare në Itali dhe lëvizjet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, bënë që kjo e fundit të rrezikohet më shumë nga virusi kinez që ka lënë të vdekur mbi 2700 persona.

Ismaili thotë se Kosova duhet të jetë sa më e përgatitur në rast të shfaqjes së Coronavirusit.

“E para ne e shohim se gjitha parashikimet që kanë qenë në qoftë se është mbajtur është menduar që të mbahet sa më e kontrolluar, këto parashikime jo gjithmonë kanë dhënë rezultate ashtu siç është dashur. Kemi pasur një shpërthim edhe në Itali tani dhe që goditur edhe Evropën në një formë çfarë nuk ka qenë më herët, prandaj si e tillë e bën të pashmangshme që edhe ne të ngrisim gjitha akterët tanë në një gjendje gatishmërie për një sëmundje të tillë të mundshme, pra ne dimë që në Itali ende ka diasporë të madhe shqiptare nga Shqipëria, dhe ne i dimë lëvizjet tona me Shqipërinë dhe gjitha kjo e bën një korridor të mundshëm të infektimit, prandaj çka ne duhet të bëjmë është që të përgatitemi sa më shumë që mundemi”, tha Ismaili.

Ismaili i cili është anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, thotë se do të jenë në dispozicion të ndihmojnë të gjithë akterët që janë në sektorin e shëndetësisë.

“Duhet kuptuar se kjo është më shumë një diçka që bota është duke u adaptuar në të, dhe ajo çka është vlerë e shtuar në këtë rast është shpejtësia me të cilën bëhet reagimi dhe shpejtësia me të cilën bëhen përgatitjet. Pra në kohën e kaluar sa unë kam qenë ministër, natyrisht që janë bërë ato përgatitjet gjitha që kanë qenë dhe unë shpresoj dhe nga ajo që po shoh është se ka një angazhim të gjithë akterëve. Si komision parlamentar për Shëndetësi që do jemi në dispozicion të gjithëve akterëve që janë në sektorin e shëndetësisë që t’i ndihmojmë”, tha ai.

Ismaili bën apel që stafi mjekësor të pajiset me maska dhe mjete mbrojtëse, pasi që ata në këtë rast janë më të rrezikuarit.

“Apel që mos të harrohet që maskat më të nevojshme, janë për punëtorët shëndetësor dhe jo për qytetarët. Nuk kemi ende arsye pse të ruhemi mirëpo duhet t’i ruajmë shumë punëtorët shëndetësor sepse ata janë në vijën e parë dhe të bëjë çka do që është e mundur që atyre t’iu sigurojmë të gjitha e mos të krijojmë mungesë në treg nga një panik e cila ende nuk është ende konkrete”, tha Ismaili.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se janë marr të gjitha masat e nevojshme për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të mundshme me Coronavirusin.

“Komiteti për sëmundjet ngjitëse ka dhënë një mori rekomandimesh duke filluar nga kujdesi parësor shëndetësor, ShSKUK, pikat kufitare dhe të gjitha institucionet relevante. Pas miratimit të këtij plani janë duke u marr të gjitha veprimet”, ka thënë Vitia.