Arbëri

Bajrami: Mësimi tërëditor nuk do të nisë pa u krijuar kushtet

Foto: Driton Paçarada / Koha

Mësimi tërëditor nuk pritet të nisë as vitin e ardhshëm shkollor 2020-2021. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami, ka thënë për “Kohën” se aktualisht në shkollat e Kosovës nuk ka kushte për këtë proces.

Ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, kishte paralajmëruar fillimin e mësimit tërëditor për dy vjetët e kaluar, por që implementimi i tij kishte dështuar në mungesë të krijimit të kushteve në shkolla, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas ministres Hykmete Bajrami, mësimi tërëditor do të jetë pjesë e strategjisë afatgjate në arsim.

“Kjo është një strategji afatgjate dhe ka implikime të thella buxhetore. Duhet të krijohet infrastruktura, të kemi një strategji të mirë në mënyrë që ajo të mund të implementohet. Ndoshta mund të pilotohet aty-këtu, mirëpo nuk është që do të kemi mundësi implementimin në tërë territorin e Kosovës pa u siguruar që fillimisht kemi mbështetje buxhetore dhe krijim të infrastrukturës”, ka deklaruar ajo.

Problem, sipas saj, është edhe fakti se në qendrat urbane shumica e shkollave janë të stërngarkuara me nxënës dhe punojnë me dy ndërresa derisa në zonat rurale shkollat janë duke u zbrazur si pasojë e lëvizjes së banorëve në qendra urbane, si dhe ikjes jashtë shtetit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)