Arbëri

Specialja nuk e ka të përcaktuar afatin kohor për konfirmimin e aktakuzave

Me aktakuzën e parë është konkretizuar këtë të hënë puna disavjeçare e prokurorit të specializuar për Kosovën.

Ky institucion e ka dorëzuar në Dhoma të Specializuara aktakuzën e cila tani do të shqyrtohet nga një gjykatës, që do të vendosë nëse ajo konfirmohet për të shkuar në gjykim kryesor ose jo, raporton KTV.

Rregullorja e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës sqaron hapat të cilët merren pas caktimit të gjykatësit, të cilin kryetarja Ekatarina Trendafilova e ka bërë këtë të hënë.

Sipas kësaj rregulloreje, nuk është e përcaktuar koha se kur mund të konfirmohet një aktakuzë.

Megjithatë pika e pestë e rregullës 85 thotë se “Gjykatësi i procedurës paraprake parashikon një datë për vendimin e vet, datë që në varësi të veçorive të çështjes gjyqësore, nuk është më vonë se gjashtë muaj nga dorëzimi i aktakuzës dhe materialit mbështetës”.

Më tutje, në rregullore sqarohet se dorëzimi i aktakuzës dhe materialit mbështetës bëhet në mënyrë konfidenciale, derisa këto dokumente, ndër të tjera, përmbajnë emrin dhe të dhënat personale të të dyshuarit.

Nëse pas shqyrtimit të materialit, gjykatësi i procedurës konfirmon tërësisht ose pjesërisht akuzat, atëherë “i dyshuari bëhet i akuzuar” dhe ndaj të akuzuarit gjykatësi “mund të lëshojë fletarrestim ose urdhër paraqitjeje”

Por edhe veprimi i kundërt i gjykatësit, pra moskonfirmimi i cilësdo pikë të aktakuzës, nuk e pengon prokurorin e specializuar që të dorëzojë një aktakuzë të ndryshuar, ose ta përfshijë këtë pikë të saj në një aktakuzë të mbështetur nga prova të reja.

Ndryshe procesi i ngritjes së aktakuzave të para mbetet i fshehtë, dhe deri më tani nuk dihet se ndaj kujt është aktakuza e parë zyrtare e prokurorit të specializuar në Hagë.