Arbëri

Kryetarja e Speciales: Nuk gjykojmë në baza etnike – Kosova kundërshton

Perceptimi se Dhomat e Specializuara janë duke vepruar kundër shqiptarëve, kryetarja e këtij institucioni, Ekaterina Trendafilova, është duke i konsideruar keqkuptim.

Në editorialin e publikuar në “Kohën Ditore” të hënën, Trendafilova ka thënë se institucioni që ajo udhëheq është i pavarur dhe i paanshëm, raporton KTV.

“Ne theksojmë gjithmonë se Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk janë një institucion politik. Ato janë një gjykatë ku gjykatësit do të kryejnë procedura gjyqësore të drejta dhe të paanshme. Po kështu, ne qartësojmë se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krejtësisht të pavarura. Ato nuk marrin udhëzime nga asnjë institucion, qeveri, apo person i jashtëm”, shkruan ndër të tjera kryetarja e Dhomave të Specializuara.

Trendafilova editorialin e saj e ka përfunduar duke thënë se të gjithë individët të cilët dyshohet se kanë kryer krime të rënda do të dalin para drejtësisë.

Mirëpo me shefen e Dhomave të Specializuara nuk po pajtohen zyrtarë të shoqatave të veteranëve të luftës.

Në anën tjetër, Rexhep Selimi, një nga të intervistuarit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, thotë se janë duke vuajtur dëmet e shkaktuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 2015.

E të rezervuar për punën e Dhomave të Specializuar janë treguar nga Ministria e Drejtësisë. Në një përgjigjeje me shkrim për KTV-në thuhet se agresori në Kosovë ka qenë shteti serb e jo shqiptarët e Kosovës.

“Duket se deri tani kjo gjykatë ka pasur për qëllim më shumë disiplinimin e disa politikanëve sesa ndonjë gjykim të mirëfilltë. Deri tani s’kemi pasur ndonjë aktakuzë dhe shpresojmë të mos kemi sa i përket luftës së UÇK-së, sepse ne besojmë që lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër, se është bërë për çlirim e për të drejtën për të qenë i barabartë sikur të gjithë popujt e tjerë të botës së civilizuar. Ne nuk mund të flasim për rezultatet e punën e një institucioni që është themeluar, për bindjen tonë, mbi një padrejtësi të madhe. Mbetet të shihet se si do të punojë ky institucion gjatë ditëve në vijim”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e MD-së.

Ndryshimet kushtetuese, të cilat i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, u miratuan në gusht të vitit 2015 nga 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës.