Arbëri

Thaçi e vlerëson rolin e SHBA-së, ka vërejtje për BE-në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekjet për paqe të qëndrueshme në Ballkan, është i pazëvendësueshëm, ndërkohë ka shprehur vërejtje për Bashkimin Evropian.

Thaçi po qëndron për vizitë në SHBA dhe sipas një komunikatë për media e lëshuar nga zyra e tij, ai ka pasur një takim në ekspertët e Brookings Institute, ku ka folur për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

“Presidenti Thaçi u shpreh se roli i SHBA-së mbetet i pazëvendësueshëm në përpjekjet për të arritur paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur, por storia e suksesit të Kosovës do të mbyllet kur vendi të integrohet në NATO dhe në BE”, thuhet në komunikatën e lëshuar të hënën nga Zyra e Presidentit.

Por pak më i rreptë, Thaçi u tregua kur foli për raportet me BE-në.

“Po ashtu, presidenti Thaçi tërhoqi vërejtjen se BE-ja është duke u vonuar me Kosovën dhe me tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo po e lëndon besimin në institucionet e BE-së dhe po e zvogëlon fuqinë e BE-së për të ndikuar në rajon”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas komunikatës, Brookings Institute është ndër ‘think-tanket’ (grupe ekspertësh) më me ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa bisedimet me ekspertë të këtij instituti ndikojnë në rekomandimet për vendimmarrje dhe politika në Uashington.