Arbëri

PDK-ja kritikon Qeverinë për shkarkimet, VV thotë se shkelësit e ligjit do të mbajnë përgjegjësi

Riorganizimi i ministrive ka shqetësuar nëpunësit civilë të institucioneve në vend.

Madje ata nuk janë në dijeni se si do të zgjidhet çështja e tyre, institucionet e të cilëve tashmë janë shkrirë në një të vetme, raporton KTV.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, bashkimi i disa ministrive në një të vetme, e plani i Qeverisë për lëvizjen e stafit do të ndikojnë negativisht në funksionimin e administratës në vend.

Paralajmërimet për shkarkime dhe ndryshime pozitash në institucionet publike i ka kritikuar edhe Partia Demokratike e Kosovës. Në një konferencë për media, zyrtarë të saj e kanë akuzuar Kurtin se është duke ndërmarrë veprime të cilat janë duke e sulmuar administratën e pavarur të shtetit.

Ndaj akuzave të zyrtarëve të PDK-së ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje. Në një përgjigjeje me shkrim për KTV-së, Arbër Zaimi nga kjo parti ka thënë se askujt nuk do t’i cenohet vendi i punës.

“Qeveria është dhe do të jetë në funksion të mbrojtjes dhe zbatimit të ligjit. Programi i saj me prioritet luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin e shpejtë e të qëndrueshëm ekonomik do të publikohet shpejt, i shndërruar në plan veprimi për secilin sektor. Kjo do të jetë qeveria e parë me program mirëfilli politik e qeverisës të dakorduar mes partnerëve të koalicionit. Ka ikur koha e improvizimeve e diletantizmit. Askush nuk do të cenohet në vendin e vet të punës për shkak të bindjeve të veta politike. Por kushdo që është emëruar në mospërputhje me ligjin e rregulloret në fuqi, ose që i ka shkelur ato gjatë punës së vet, do të mbajë përgjegjësi në proporcion me shkeljen”.

“Nuk do të mbyllen sytë karshi përgjegjësive të zyrtarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike. Opozita ftohet të jetë bashkëpunuese në luftimin kundër të korruptuarve, si dhe në shmangien e shpenzimeve të panevojshme nga administrata e ndërmarrjet publike. 6 tetori është datë e kthesës, asnjë parti pas kësaj date nuk do ta ketë lehtë të mbrojë personat e korruptuar dhe lëshimet që ata kanë bërë në dëmtim të shtetit”, thuhet, ndër të tjera, në përgjigjen e anëtarit të Kryesisë së Vetëvendosjes.

Ndryshe, Ligji për shërbimin civil, i cili rregullon veprimtarinë e nëpunësve civilë, përcakton dispozitat ligjore për lëvizjet e personelit në rast të tepricës pas riorganizimit.

Pika e parë e nenit 32 të këtij ligji thotë se “nëpunësit civilë të cilët janë tepricë pas riorganizimit, suprimimit ose bashkimit të organizatës së tyre me një organizatë tjetër në kuadër të institucionit të cilit i takojnë, do të ricaktohen në administratën qendrore ose komunale, po qe se ekzistojnë pozita ekuivalente”.

Derisa, sipas këtij ligji, se në rast se brenda një viti nuk ricakohet në ndonjë post të shërbimit civil., atëherë përfundon statusi i nëpunësit civil.