Arbëri

Historia ndër vite e vezëve si mjet kundërshtimi në Kosovë

Foto: Alban Bujari/ KD

Historia e sulmeve me vezë nuk ka filluar sot me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Vezët ndër vite janë parë mjet i rëndësishëm i kundërshtimit të kauzave të ndryshme në Kosovë.

Kjo formë e kundërshtimi ishte përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë për t’i parandaluar ato që i vlerësonte çështje të dëmshme për vendin.

Pre e një sulmi me vezë më 22 shtator të 2015-ës ishte kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa.

I njëjti ishte sulmuar në seancë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë kohës kur po raportonte për marrëveshjet e nënshkruara më 25 gusht të atij viti me Serbinë në Bruksel.

Një muaj më vonë, më 14 tetor, nga aktivistë të Vetëvendosjes ishte sulmuar zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Arsye e këtij sulmi ishte një “selfie” e tij me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, raporton Koha.net.

E po atë ditë ishte sulmuar edhe ministri atëhershëm i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Shkak i këtij aksioni ndaj Abrashit kishte qenë një fotografi të cilën ai e kishte bërë bashkë me kryetarin e Leposaviqit, Dragan Jablanoviq, në zyrën e këtij të fundit, në mur të së cilës ishte vendosur një stemë e shtetit të Serbisë.

“Nuk ka rehati për politikanët që po ia prishin rehatinë dhe jetën qytetarëve. Që po e ndajnë Kosovën dhe po e defunksionalizojnë shtetin”, thuhej në deklaratën e Vetëvendosjes pas sulmit ndaj ministrit Abrashi.

E në nëntor të 2015-ës me vezë qe sulmuar edhe ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ky sulm po ashtu ishte bërë nga aktivistë të Vetëvendosjes. Arsyeje e tij ishte “kërcënimi për ndarje etnike dhe falje të territorit të Kosovës”.

“Hajredin Kuçi e drejton Ministrinë e Drejtësisë. Ai përveç që është ministër në një qeveri që po na e sjell ‘Zajednicën’ dhe po i fal territoret, është përgjegjës kryesor për sistemin e rrënuar të drejtësisë Kosovare”, thuhej në postimin e VV-së në Facebook.

Një sulmi të tillë nuk i ka shpëtuar as anëtari i PDK-së, Blerand Stavileci, i cili në 2015-ën kur edhe u sulmua ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik.

E në vazhdën e sulmeve me vezë, edhe këtë herë autorët ishin nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët aksionin e arsyetuan se Stavileci ishte një nga përgjegjësit për shkatërrimin ekonomik të Kosovës.

Një vit më vonë (2016), brenda rrethojave të Kuvendit, ishte sulmuar edhe kryetari i Vetëvendosjes, e kryeministri i tanishëm, Albin Kurti.

Sulmi me vezë nuk dihet pse kishte ndodhur, ndërsa dy sulmuesit ishin arrestuar nga Policia.

Ndërkaq në nëntor të 2018-ës me vezë u gjuajt edhe ish-deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili.

Për këtë sulm ai e kishte akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje.

“Me gju me vezë gjithmonë mu ka dukë gjest qyqanash. Gjithmonë e kam kundërshtuar atë veprim përbrenda. Edhe në Kuvend, kur më kanë urdhëruar me e gjuajt Isa Mustafën me vezë, s’pata pranuar. Njeri 2 metra, ish luftëtar, me kapë me e gjuajt me vezë plakun me një këmbë në varr ish kundër çdo parimi njerëzor për mua, pavarësisht se çka ka bë ai”, kishte shkruar Ismaili.

E një gjë e tillë ndodhi edhe sot ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Ai u gjuajt me vezë nga një person i cili kërkoi që taksa 100 për qind ndaj Serbisë të mos hiqet.

Ndonëse askush deri tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, kujtojmë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë ato të cilat po e kundërshtojnë idenë e heqjes së taksës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitet.

Lexo edhe: Gjuhet me vezë zëvendëskryeministri Hoti, LDK-ja e quan akt të ulët