Arbëri

Politikanët dënojnë sulmin me vezë ndaj Hotit

Foto: Koha

Politikanë kosovarë kanë dënuar sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka reaguar ndaj sulmit me vezë që u bë sot ndaj zëvendësministrit Avdullah Hoti.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se sulmi ndaj Hotit është akt qyqar, duke shtuar se ka pasur për qëllim pengimin e proceseve pozitive në vend.

Veliu ka shtuar se aktet e tilla janë të papranueshme dhe të patolerueshme.

“Shprehja e mospajtimit dhe pakënaqësisë për çfarëdo procesi, duhet të bëhet përmes mjeteve demokratike dhe rrugës institucionale”, ka shkruar ai.

Ndërkaq ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka shkruar se sulmi ndaj Hotit është i trishtë, si mjet, si formë e si arsye.

“Shteti, era shtet si akt e si koncept i tremb. Pa pushtet e me gjithë reformat që pritet të vijnë rend bëhen edhe më agresiv. Sulmi ndaj Zv.Kryeministrit Hoti është i trishtë - si mjet, si formë, si arsye. Argumentet s’mund të zëvendësohen me sharje e dhunë - me terma “tradhtarë e shpihunë”! Është viti 2020. Përpjekjet agresive për të ndaluar kthimin e Republikës në rrugë të mbarë e për të na izoluar e dërguar të gjithëve në theqafje - duhen të dënohen nga secili me minimalisht dinjitet”, ka shkruar ai.

Ndërkaq ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shkruar se sulmi me vezë ndaj Zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti është veprim i ulët i njerëzve që keqpërdorin të rinjtë për të atakuar një përfaqësues të qeverisë legjitime, një intelektual dhe profesor universitar.

“Mendësia e vezëve nuk e mbron dhe nuk e përparon shtetin, por e dëmton seriozisht”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se sulmuesit duhet të dënohen, ndërkaq partneriteti me SHBA-në do të thellohet

“E dënoj sulmin ndaj Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti. Drejtësia duhet të veprojë menjëherë që sulmuesit të përgjigjen para drejtësisë dhe të mos lejohet degradimi i hapësirës publike siç ka ndodhur në të kaluarën. Raporti Kosovë-SHBA është i shenjtë dhe asnjë sulm nuk mund ta luhatë partneritetin me amerikanët. Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq lidhur me sulmin ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai në Twitter ka pyetur se e zgjodhën Avdullah Hotin si target më të lehtë për ta sulmuar.

“Si duket Opozita e re Reciprocitet Qeverisë së Re me vezë? A presim edhe aksione në Kuvend? A e zgjodhen Avdullahun si target të lehtë? Edhe pse çdo gjë që e mbjellë edhe do ta korrësh, në aksione të tilla shumë ka rëndësi se kush e bën, ndaj kujt, dhe për çfarë arsye”, ka shkruar ai.


Osmani: Sulmet me vezë nuk mund të na ndalin ta çojmë Kosovën përpara

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dënuar sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Ajo ka thënë se tarifa nuk është çështje vezësh.

Ajo në Facebook ka shkruar se tarifa është konsensus e veprim shtetëror dhe bashkërendim me miqtë strategjik të Kosovës.

“As sulmet me vezë e as me mjete të tjera nuk do të mund ta ndalin vendosmërinë tonë që ta çojmë Kosovën përpara”, ka shkruar ajo.


Kusari-Lila: Do të mbeteni shumë gjatë në opozitë nëse krejt çka do t ‘bëni është të gjuani me vezë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka reaguar pas sulmit me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se industria e vezëve po pëson humbje çdo ditë me taksën.

“Gjuajtje me vezë?!?! A bash me vezë mendoni me e ndalë taksën a?
Një informatë që ndoshta ju ka ik, industria e ushqimit në përgjithësi dhe e vezëve e mishit të pulës në veçanti, po pëson humbje çdo ditë me taksën. Kjo vetëm sa me i kursy vezët nga simboli i ‘rezistencës’ për taksën. Nëse veprimi opozitar tash e tutje do të jetë gjuajtja me vezë pozitën, sikur që u bë sot ndaj Zv/KM Avdullah Hotit, atëherë njëjtë sikur edhe qeverisja juaj deri tash, do të jenë kopje e keqe e tjetër kujt”, ka shkruar ajo.

Ajo thotë se në qeverisjen paraprake u pa vetëm ngarendje pas kapjes së shtetit, tenderomani, nepotizëm e mos më keq.

“Izolim të shtetit dhe humbje të besimit të qytetarëve se ndonjëherë do të bëhet mirë në këtë vend. 6 Tetori ndërroi këtë ndjenjë, solli shpresë dhe besim për shtetin e ri.

Tash ju që keni dalë në opozitë, keni pak më shumë kohë të mendoni dhe të jeni më kreativ në ofrim të alternativave. Andaj, leni vezët e mendoni pak më shumë çka i bën mirë demokracisë së vendit kur ju bëni opozitën e mirëfilltë”, ka shkruar ai.
Ajo i ka bërë thirrje opozitës që të kuptojë se i ka humbur zgjedhjet.

“Si e bëni ju pushtetin e pamë, andaj i humbet zgjedhjet. Treteni mirë këtë realitet dhe kuptojeni se shumë gjatë do të mbeteni opozitë nëse krejt çfarë do të bëni është të gjuani me vezë”, ka shkruar ajo.