Arbëri

GLPS-ja me pesë rekomandime për Qeverinë rreth dialogut me Serbinë

Foto: Driton Paçarada / KD

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferencë për media sot me ç’rast ka prezantuar punimin me titull: “Pesë gjërat që Qeveria e re e Republikës së Kosovës duhet t’i ketë parasysh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”.

Përmes një komunikate për media GLPS-ja thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi jokushtetueshmërinë e Ligjit për Dialogun Kosovë-Serbi i kishte dhënë Qeverisë dhe Kryeministrit autoritetin dhe përgjegjësinë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Kosovën në raundet e ardhshme të dialogut, transmeton Koha.net.

“Tashmë është përgjegjësi kushtetuese e Qeverisë së re dhe Kryeministrit të saj që të prodhojnë një pajtueshmëri të gjerë politike në mes të gjitha grupeve parlamentare e cila unifikon pozicionet negociuese të Kosovës në raport me Serbinë. Mbi këtë bazë, në shënimin e politikave të publikuar sot, GLPS rendit pesë gjërat kryesore që Qeveria e ardhshme duhet t’i ketë parasysh sa i përket dialogut”, thuhet në komunikatë.

Pesë rekomandimet e GLPS-së janë:

1. Dialogu është përgjegjësi shtetërore përpos se kërkesë ndërkombëtare.

Normalizimi i plotë i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nëpërmjet njohjes juridike të parezervë dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve është qëllim final i institucioneve të Republikës së Kosovës për kompletimin e shtetësisë së saj. Veprimtaria e çdo qeverie dhe çdo përfaqësuesi të lartë politik duhet t’i shërbejë këtij qëllimi, ashtuqë Kosova nesër të jetë shtet i “barabartë në mes shtetesh sovrane”. Në radhë të dytë, kërkesa ndërkombëtare për përfundimin e Dialogut buron nga stabiliteti politik që një marrëveshje finale do t’i ofronte rajonit. Stabiliteti rajonal, qartazi, është në interes të të gjitha shteteve perëndimore. Ngulmimi për një përshpejtim të dialogut nga ana e tyre duhet të kuptohet veçanërisht nëpërmjet këtij këndvështrimi.

2. Pajtueshmëria e gjerë politike mbi çështje të Dialogut është kriter i patejkalueshëm.

Pavarësisht fuqisë së Qeverisë së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ajo duhet të insistojë në bashkëpunim ndërpartiak duke ofruar infrastrukturën e duhur për përfshirje përmbajtësore të opozitës parlamentare në procesin e dialogut. Temat dhe zhvillimet përgjatë gjithë procesit të dialogut të kenë mbështetjen e të paktën shumicës së kualifikuar në Kuvend (2/3 e deputetëve). Prandaj, Qeveria duhet ta merr parasysh nevojën për krijimin e një grupi punues gjithëpërfshirës, në të cilin ftohen të marrin pjesë aktivisht përfaqësues të lartë të të gjitha partive parlamentare. Vëmendje e veçantë të ju kushtohet pjesëmarrjes së partive opozitare. Ky grup të jetë jo formal për nga karakteri, dhe për qëllim të ketë krijimin e pajtueshmërisë së gjerë nëpërmejt diskutimit gjithëpërfshirës.

3. Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me shtetësinë e Kosovës, jo ta cenojë atë.

Qeveria duhet të sigurohet që përmbajtja e Marrëveshjes është në përputhje me modelin e shtetësisë mbi të cilin Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Rrjedhimisht, territori i Republikës së Kosovës dhe monoetnizimi i institucioneve mbi çfarëdo baze nuk duhet të jetë subjekt/objekt i negociimit në Dialog. Këto dy çështje duhet të përbëjnë bazën e vijave të kuqe në Dialog. Qeveria duhet të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të dalë nga pozicioni defansiv negociues aktual, sipas së cilit Kosova detyrohet të zgjedh mes të këqijave. Për të arritur një gjë të tillë Qeveria e re duhet të afirmojë një qasje të re në Dialog e cila udhëhiqet nga tri parime; sekuencializmi, reciprociteti në Dialog dhe mirëbesimi.

4. Pozita e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, është në nivelin më të ulët që pas pavarësisë.

Diskutimi i hapur mbi mundësinë e ripërcaktimit të kufijve Kosovë-Serbi dhe performanca e dobët diplomatike e institucioneve përgjegjëse ka dobësuar ndjeshëm pozitën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Kjo situatë ka prodhuar fenomenin e tërheqjes së njohjeve, me të cilin Qeveria e kaluar është ballafaquar në mënyrë të pasuksesshme dhe joserioze. Qeveria e re duhet me urgjencë ta trajtojë këtë çështje sepse çdo tërheqje e njohjeve është sulm i drejtpërdrejtë ndaj identitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe e dobëson pozitën e saj në rrafshin ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, një situatë e tillë faktorizon edhe më shumë rolin e Serbisë në konsolidimin përfundimtar të shtetësisë së Kosovës dhe rrjedhimisht fuqinë e saj negoicuese në Dialog. Prandaj, një nga prioritetet e Qeverisë së re duhet patjetër të jetë rishikimi i strategjisë për politikën e jashtme, riformatizimi i përbërjes së personelit/përfaqësueseve të lartë diplomatik dhe intensifikimi i aktiviteteve lobuese.

5. Dialogu nuk po trajtohet më si përgjegjësi rajonale e Bashkimit Evropian, por si nevojë për angazhim ndërkombëtar.

Që nga Samiti i Berlinit, të prillit 2019, formati i Dialogut iu është nënshtruar ridizajnimit. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si pjesë formale e Dialogut, pritjet e bazuara se Bashkimi Evropian do të emërojë një të përfaqësues të posaçëm për Dialogun, dhe në anën tjetër mundësia që Rusia mund të përfshihet gjithashtu, mbështesin supozimin se formati i ri i dialogut parasheh një përfshirje më të gjerë ndërkombëtare në krahasim me formatin e deritanishëm të udhëhequr nga Brukseli zyrtar. Qeveria e re duhet ta ketë parasysh se përfshirja e një numri sa më të madh të akterëve ndërkombëtar në procesin e Dialogut mund të jetë barrë për Kosovën. Ndonëse një përfshirje e gjerë ndërkombëtare i jep shtysë shtesë Dialogut, ajo po ashtu do të rezultojë në presion të shtuar mbi Kosovën sa i përket numrit dhe natyrës së kompromiseve të nevojshme për një Marrëveshje.