Arbëri

Profilizohen prokurorët pas kritikave nga Komisioni Evropian

Aktakuzat të cilat dorëzohen në gjykatë, sidomos ato të profilit të lartë, sipas raportit të Komisionit Evropian të përfunduar muaj më parë, nuk përpilohen profesionalisht.

Raporti për vlerësimin e punës së prokurorisë dhe gjykatave në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ky institucion ndërkombëtar ka vënë në pah mangësi, sidomos në aktakuzat ku të përfshirë janë zyrtarë të lartë.

12 vjet pas themelimit të Prokurorisë Speciale, prokurorët e këtij institucioni do të profilizohen.

Kritikat për cilësi të aktakuzave Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur t’i adresojë përmes një vendimi për të specializuar prokurorët e Prokurorisë Speciale.

Një kërkesë e tillë është bërë nga kryeprokurori special, Blerim Isufaj. Ai ka thënë se për faktin që i kanë pranuar kritikat përmes profilizimit të prokurorëve tentojnë të rrisin cilësinë e aktakuzave.

Kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është aprovuar të premten në mbledhjen e KPK-së.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se janë tri departamente të reja që do të caktohen.

Ka shumë raste kur Prokuroria Speciale ka bërë kualifikim të gabuar të veprimeve penale për personat e akuzuar.

Gjykimi i aferës së njohur si “Stenta 3” nuk pati filluar shqyrtimin gjyqësor 3 vjet pas ngritjes së aktakuzës për shkak të gabimeve të Prokurorisë Speciale për kualifikimin e veprimeve penale.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Apelit, një ekonomist i përfshirë në këtë aferë ishte akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Prokuroria Speciale ka 14 prokurorë. Për 18 muaj kjo prokurori ka ngritur vetëm një aktakuzë të korrupsionit profilit të lartë.