Arbëri

Demarkacioni dhe AKS, si dhe a do të kalojnë

BE-ja vazhdon kritikat ndaj politikanëve kosovarë për dështimin që ta kalojnë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, shkruan sot Koha Ditore.

Shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se përgjegjësia është e kosovarëve, duke iu kundërpërgjigjur kështu presidentit Thaçi, i cili vazhdimisht fajin për izolimin e Kosovës ia hedhë BE-së. Ajo, për “Kohën Ditore”, ka thënë se fushata parazgjedhore po shfrytëzohet nga politikanët për të shmangur vëmendjen, duke kërkuar, siç ka thënë ajo, kurban diku tjetër.

Ndërkohë, në vizitën që një ditë më herët Mustafa e bëri në Bruksel, tha se në takim me Mogherinin kanë biseduar për nevojën e vazhdimësisë së proceseve që janë iniciuar siç janë demarkacioni, asociacioni e dialogu.

Por, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, vetëm një ditë pas nominimit për këtë pozitë nga PDK-ja, AAK-ja e Nisma, ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë demarkacion të tillë e as pushtet të tretë, siç është asociacioni.

Por, zëvendësministri në detyrë i pushtetit lokal, Bajram Gecaj, thotë se pavarësisht kush vjen në pushtet, këto marrëveshje duhet të kalojnë.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë kundërshtarëve politikë që të mos bëjnë fushatë me asociacionin e demarkacionin sepse ato nuk janë çështje politike, por detyra shtetërore.