Arbëri

Pacolli ndryshon postimin për Xhamajkan: Faleminderit për çdo rast

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, “i ka rënë pishman” për një postim të para disa orëve në Twitter me të cilin falënderoi Xhamajkan për njohjen e Kosovës. Pasi ky lajm u mohua nga ministrja e Jashtme e Xhamajkas, Pacolli ka fshirë postimin e djeshëm duke e zëvendësuar me një tjetër të ri.

“Faleminderit Xhamajka, faleminderit ministre Kamina J Smith, faleminderit SHBA, Elliot Engel. Kosova dhe kosovarët do të mbesin gjithmonë miq besnikë të qeverisë dhe popullit të Xhamajkas”, kishte shkruar Pacolli pasi presidenti Hashim Thaçi kishte njoftuar se “Kosova është njohur nga Xhamajka”.

Megjithatë, pasi ministrja e Jashtme e Xhamajkas mohoi një gjë të tillë, Pacolli ka fshirë postimin e parë, ndërsa në të dytin ka falënderuar “Xhamajkan për çdo rast”.

“Faleminderit Xhamajka për çdo rast, faleminderit ministre, faleminderit SHBA, Elliot Engel. Kosova dhe kosovarët do të mbesin gjithmonë miq besnikë të qeverisë dhe popullit të Xhamajkas”, ka shkruar ai.

Dje presidenti Thaçi kishte thënë se ka marrë njoftim nga ambasadorja Vlora Çitaku se Xhamajka ka njohur Kosovën shtet. Përshëndetje të shumta pati nga të gjithë krerët institucionalë në Kosovë.

Image
Postimi i parë
Image
Postimi i dytë