Arbëri

Njohja nga Xhamajka, e para për Kosovën pas dy vjetësh

Foto: Driton Paqarada / KD

Xhamajka ka vrapuesit më të shpejtë në botë, por nuk ishte as për së afërmi kaq e shpejtë në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Vendi nga Karaibet ka njohur Kosovën shtet të enjten, ka bërë të ditur presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes llogarisë në “Twitter”.

Qeveria e Xhamajkës ende nuk e ka publikuar vendimin, por, sipas Thaçit, ai tashmë i është dorëzuar ambasadores së Kosovës në Washington, Vlora Çitaku.

“Lajm i mrekullueshëm! Sapo u njoftova nga ambasadorja Vlora Çitaku se Xhamajka ka njohur Republikën e Kosovës si sovrane dhe të pavarur. E di se ky është një rezultat i punës së madhe dhe i lobimeve për vite me radhë, përfshirë edhe Eliot Engelin. Punë e mirë. Faleminderit miq të dashur nga Kingstoni”, shkroi Thaçi në “Twitter”.

Njohja nga Xhamajka vjen tri ditë pasi Kosova shënoi 12-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, më 17 Shkurt 2008.

Po ashtu, është njohja e parë pas dy vjetësh.

Në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme figuron një listë me emrat e shteteve që kanë njohur Kosovën, dhe Xhamajka do të jetë vendi i 117-të.

Shteti i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovës para Xhamajkës është Barbadosi, po ashtu vend nga Karaibet. Njohja është bërë më 15 shkurt 2018.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në maj të vitit të shkuar kishte paralajmëruar dy njohje “brenda pak ditësh”, por erdhi vetëm një, dhe pas nëntë muajsh.

Ndërkohë, Serbia ka kohë që ka raportuar për tërheqje të njohjeve. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, Kosovës i janë tërhequr 16 njohje.

Kjo në vazhdimësi është mohuar nga Pacolli, që deri para pak javësh ishte ministër.

Sipas Daçiqit, njohjet i kanë tërhequr Burundi, Lesoto, Sao Tome, Surinami, Liberia, Papua Guineja e Re, Dominika, Grenada, Guineja Bisao, Unioni Komoros, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau dhe Gana.

Po ashtu, në këtë fushatë për tërheqje të njohjeve, Serbia është akuzuar se ka paguar 350 mijë euro “përmes një lidhjeje diplomatike” që Republika e Afrikës Qendrore ta tërheqë njohjen.