Arbëri

Publicisti Qiriq shpreson se nën qeverisjen e Kurtit më në fund të ketë një padi për gjenocid kundër Serbisë

Foto: Alban Bujari / KD

I njohur për shkrimet e tij kundër politikave serbe karshi Kosovës dhe luftimin e qasjes nacionaliste të popullit të tij në raport me popujt e tjerë të ish- Jugosllavisë, publicisti dhe aktivisti i të drejtave të njeriut nga Serbia, Millosh Qiriq e sheh si pozitive qeverisjen e re në Kosovë me në krye liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin.

Në një intervistë për Euronews Albania, Qiriq tha se në Serbi ka shumë njerëz që kanë ndjenja të forta lidhur me ndryshimin e pushtetit në Kosovë, të cilët sillen si presidenti Aleksandër Vuçiq.

Ai shtoi se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e sheh kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin nga këndi i një nacionalisti të rëndomtë serb.

“Ai u tha mbështetësve të tij dhe qytetarëve të Serbisë se është takuar vetëm një herë me Kurtin në Mynih dhe se deklarata e Kurtit ishte gjëja më e tmerrshme që kishte dëgjuar. Në të njëjtën kohë ai nuk thekson se e njeh Kurtin, luan rolin sikur kurrë nuk e ka parë këtë njeri, kurrë nuk ka folur me te, por le të mos harrojmë që Kurti ishte i burgosur në Serbi gjatë kohës kur Vuçiq ishte ministër në qeverinë e Sllobodan Millosheviq dhe pjesë e skenës pulitke gjatë viteve 90", u shpreh aktivisti i të drejtave të njeriut, Millosh Qiriq.

Pak ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Mynih tha se tani është koha që të ndihmohet Serbia të çlirohet nga Kosova. Qiriq po ashtu tha se nën qeverisjen e Kurtit shpreson që më në fund të ketë një padi për gjenocid kundër Serbisë.

"Sipas mendimit tim ka pasur një qëllim të qartë për t’i zhdukur shqiptarët nga Kosova. Ne e dimë se gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohore, vetëm dy vjet 1998 - 2000 ishin pothuajse 1 milion njerëz të dëbuar nga Kosova, ende nuk e dimë se ku janë 1600 persona të cilët ende numërohen si të zhdukur edhe pse të gjithë e dimë se ata ndoshta janë varrosur në varreza masive diku këtu në Serbi, mbase në periferi të Beogradit si varri masiv që kemi vetëm 10 km nga këtu në Batajnicë. Pra, ka shumë prova", tha Qiriq.

Deklarata të tilla kanë bërë që Qiriq dhe familja e tij të përballen me shumë kërcënime dhe sulme virtuale, për të cilat ai thotë se është sjellje e përditshme në Serbi dhe në mediat e atje karshi secilit mendim ndryshe.

“Çështja reale këtu është sjellja jonë kolektive ndaj viktimave në Kosovë, Bosnje, Kroaci, edhe në Serbi sepse Serbia nuk po bën asgjë për viktimat e veta.

Narrativat në Serbi bazohen në gënjeshtra, propagandë të Millosheviqit, e cila për hir të së vërtetës është përsëritur sërish e sërish nga të gjitha qeveritë pas tij”-theksoi ai.

Ai shton se kjo vetëm se i forcon dëshirën për të shprehur haptas mendimin e tij dhe atë se çfarë ka mësuar se cila është e vërteta/Euronews.al.