Arbëri

Kurti pranon telegram urimi nga Johnsoni: Mbretëria e Bashkuar e përkushtuar ta mbështesë Kosovën

Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar telegram urimi nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson.

Siç njofton kumtesa nga kryeministria, Johnsoni i ka theksuar se Kosova e Britania kanë miqësi të ngushtë, dhe se kjo e fundit, është e përkushtuar ta mbështesë integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

“I nderuari Kryeministër, dëshiroj t'ua shpreh urimet e mia më të sinqerta në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për emërimin tuaj si Kryeministër i Kosovës. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është fuqishëm e përkushtuar për ta mbështetur integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”, thuhet në telegram.

“Mezi presim të punojmë së bashku si partnerë në mënyrë që Kosova dhe rajoni më i gjerë të jenë të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Për këtë qëllim, ne mbështesim fuqishëm agjendën tuaj të brendshme për të luftuar korrupsionin, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për trajtimin e krimit të rëndë dhe të organizuar”, përfundon telegrami i urimit nga Johnson.

Image