Arbëri

Veseli u premton bujqve kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli i ka siguruar pemëtarët se nga 1 janari i vitit 2018 me platformën e ‘Fillimit të Ri’ parashihet sigurimi i produkteve bujqësore, ku në rast të fatkeqësive natyrore do të kompensohen deri në 70 për qind.

Këtë premtim kreu i PDK-së ua dha pemëtarëve, gjatë një vizite në pemëtarinë “Agrovizioni”, ku janë të mbjella 45 hektarë me mollë dhe me dardhë.

Veseli, transmeton kp, theksoi në bashkëbisedim me pemëtarë dhe fermerë se plantacionet e standardeve moderne evropiane sikur ato që vizitoi në Llugagji duhet të përkrahen pasi ato rrisin prodhimet vendore dhe hapin vende të reja pune.

Sipas Veselit një nga elementet që është treguar kur është investuar që ka pasur sukses, është bujqësia. Prandaj sipas tij, ‘Fillimi i Ri’ ka në plan të parë zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e prodhimeve vendore.

Veseli shtoi se në Fillimin e Ri janë bashkuar edhe me shokë të vjetër për të mirën e Kosovës. Kreu i PDK-së tha se me 11 qershor është vetëm një pyetje, a do të mbështetet vizioni perëndimor Fillimi i Ri, apo duhet ta udhëheqin Kosovën ata që nuk kanë guxim të marrin vendime, të cilët hezitojnë, apo një koncept tjetër që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe dëshirojnë ta qojnë mbrapa Kosovën.

Labinot Spahiu pronar i Agrovizionit, tha se që nga fillimi i prodhimeve në vitin 2009-2010 çdo vit kanë marrë grante nga Ministria e Bujqësisë çka iu ka ndihmuar shumë në ecjen përpara, pavarësisht se ka probleme gjatë rrugës të cilat duhet të eliminohen.

Në vitin 2006 në Llugagji tre partnerë kanë privatizuar 120 hektarë, nga 40 hektarë secili, ku tani veprojnë tri biznese.