Arbëri

VV dhe LDK bisedojnë rreth fatit të mëtejmë të bashkëqeverisjes në Prizren

Foto: Koha

Kabineti i kryetarit të Komunës së Prizrenit, të mërkurën, ka bërë të ditur se ende nuk është definuar çështja e qëndrimit në detyrë ose jo të nënkryetarit të Komunës dhe të tre drejtorëve që vijnë nga radhët e LDK-së.

Me këtë rast është theksuar se palët janë në proces të bisedimeve dhe se pritet që të ketë një epilog lidhur me fatin e mëtejmë të bashkëqeverisjes ndërmjet VV-së dhe LDK-së, raporton “Koha Ditore”.

“Momentalisht ata nuk janë të shkarkuar dhe vazhdojnë punën”, ka thënë shefja e kabinetit të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Krenare Koqi. Sipas saj, lidershipi komunal dhe përfaqësuesit e LDK-së janë në proces të bisedimeve dhe se “së shpejti palët do të dalin edhe me një qëndrim konkret për këtë”.

Ndërsa shefi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit, Haziz Hodaj, ka theksuar se LDK-ja ka shprehur gatishmërinë për të dalë nga situata e krijuar në javët e fundit.

“Ka tentativa me zhblloku gjendjen aktuale, mirëpo se ka dakordim zyrtar për këtë, ende nuk kam informacione”, ka thënë Hodaj.

Disa ditë më parë ai pati shprehur mendimin se ka gjasa reale që të riparohet ‘çarja’ mes LDK-së e VV-së, me një rimarrëveshje mes palëve, pas qetësimit të situatës.

Për dallim prej tij, shefi i Grupit të këshilltarëve të AAK-së opozitare në KK-në e Prizrenit, Ilir Baldedaj, pretendon se vendimet për shkarkim të nënkryetarit dhe të tre drejtorëve nga radhët e LDK-së gjatë javës së shkuar janë protokolluar dhe se ato kanë figuruar në internetin e administratës komunale.

“Kryetari ka shkarkuar nënkryetarin dhe drejtorët e LDK-së dhe është e çuditshme se si ata dalin në punë”, ka deklaruar Baldedaj. Sipas tij, deklarimi publik i kryetarit Mytaher Haskuka për shkëputje të koalicionit me LDK-në, protokollimi i vendimeve për shkarkimin e nënkryetarit dhe të tre drejtorëve, ndërkohë që këta katër zyrtarë vazhdojnë që të dalin në punë, është tregues për qeverisjen joserioze gjatë këtij mandati në Prizren. “Edhe sjellja e zyrtarëve të LDK-së që me çdo kusht me qenë në pozitë tregon se interesi personal është primar për ta dhe jo interesi i qytetarëve”, është shprehur Baldedaj.

Ndërkaq drejtori i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit, që vjen nga LDK-ja, Egzon Elshani, ka theksuar se zyrtarët e lartë të ekzekutivit nga kjo parti nuk i kanë pranuar vendimet për shkarkim nga detyrat e tyre. “Ne nuk i kemi pranuar këto vendime. Nuk e di se ku i ka marrë ai (Ilir Baldedaj v.j.)”, ka thënë Elshani.

Të enjten që shkoi, këshilltarët e LDK-së patën bojkotuar vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme të KK-së së Prizrenit, ku në votimin e tretë për kryesues të këtij organi me shumicë votash u zgjodh kandidati opozitar Sulltan Badallaj.

Si pasojë e këtij rezultati, pas përfundimit të seancës, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, pati njoftuar se koalicioni qeverisës me LDK-në e ka humbur kuptimin në nivel lokal dhe pati paralajmëruar vazhdimin e qeverisjes pa këtë parti politike.

“Po më vjen keq që LDK-ja nuk ka qenë prezente në votim dhe ne kemi humbur si koalicion kryesuesin e KK-së. Arsyeja pse kemi qenë në koalicion ka qenë KK-ja, për të kaluar vendimet më lehtë dhe për të pasur një bashkëpunim të lehtë ndërmjet qeverisjes ekzekutive dhe legjislative në Komunë. Me këtë humbje, koalicioni ynë nuk ka kuptim në aspektin e LDK-së, prandaj do të vazhdojmë vetëm”, pati thënë Haskuka. Sipas tij, edhe në të shkuarën ka pasur disa votime me kushtëzime nga LDK-ja.

“Edhe këtu ka pasur kushtëzim. Prandaj nuk mendoj se një koalicion mund të vazhdojë nëse ka probleme të tilla”, pati deklaruar Haskuka. Ndërkaq në rrjetet sociale pati falënderuar “drejtorët dhe nënkryetarin nga LDK-ja për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në arritjen e prioriteteve tona qeverisëse”.

Për dallim prej tij, kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, në rrjetet sociale pati sqaruar se Grupi i kuvendarëve të LDK-së në koordinim me organet e partisë nuk ka marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e kryesuesit, për shkak se ka qenë në negociata për sqarimin e pozicionit në koalicion, si rezultat i daljes së Nismës nga bashkëqeverisja.

“Kemi kërkuar nga partneri ynë që të bëjmë shpërndarjen e përgjegjësisë, me bindjen se kjo do ta rriste performancën dhe efikasitetin e shërbimeve karshi qytetarëve prizrenas. Ne konsiderojmë që koncentrimi i pushtetit tek njëri partner nuk është praktikë e mirë në demokraci. Mosgatishmëria për t’i dhënë zgjidhje kërkesës tonë ka rezultuar me pamundësi për koordinim për zgjedhjen e kryesuesit të ri të Kuvendit të Komunës”, pati shkruar ai, duke theksuar se LDK-ja në vazhdimësi ka qenë e hapur për partneritet të sinqertë.