Arbëri

Rama thotë se pas zgjedhjeve do të kërkojmë çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE

Kryeministri Edi Rama ka postuar sot në Facebook videon e intervistës së dhënë në Bruksel, pas darkës informale të organizuar nga përfaqësuesja e lartë e BE, Federica Mogherini, me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Përmes çadrës Partia Demokratike kërkoi rrëzimin e qeverisë, tentoi të bllokonte Vetingun e bashkë me të edhe çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Por lajmi i mirë është se nuk ka më çadër në bulevardin e Tiranës dhe Partia Demokratike është në zgjedhje”, shkruan Rama në Facebook.

“U bëra me dije partnerëve tanë mbrëmjen e djeshme në Bruksel se tani që u hap rruga për të ecur përpara me Veting-un, ne do të kërkojmë çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE menjëherë pas zgjedhjeve. Dhe sipas marrëveshjes, opozita do të jetë në krah të qeverisë në këtë përpjekje madhore për Shqipërinë”, shkruan kryeministri Rama.